Skrining-u dhe sistemi gjyqësor në republikën e Maqedonisë

Republika e Maqedonisë që nga pavarësimi i saj nga ish RFSJ-ja e deri sot së paku zyrtarisht ka ndjekur rrugën e integrimeve euro – atlantike, gjegjësisht çdo qeverisje në Shkup së paku deklarativisht është shprehur për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe aderimin e saj në strukturat e Unionit Evropian. Para çdo delegacioni të huaj, qeveritarë ndër vite janë deklaruar se vetëm integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike siguron dhe garanton paqen, sigurinë, stabilitetin, mirëqenien, perspektivat dhe zhvillimin ekonomik si dhe ardhmërinë më të sigurtë të brezave që do të vijnë pas.

Duke mos u kthyer në kohë dhe duke mos bërë retrospektivë të së kaluarës, të asaj që ky vend ka kaluar nga vitet e ’90-ta e deri më sot, padyshim që shteti ynë tani më ndodhet para një sfide tejet të rëndësishme, sfidë nga epilogu i së cilës do të varet edhe ekzistenca e këtij shteti.

Republika e Maqedonisë edhe zyrtarisht ka hapur një kapitull të ri, me vet procesin e skriningut, që është një hap shumë i rëndësishëm që patjetër duhet ndjekur drejt rrugës së integrimit në familjen e madhe evropiane, në Bashkimin Evropian. Por, çfarë në fakt nënkupton procesi i skriningut, vallë lindën pyetja se Republika e Maqedonisë gjatë gjithë këtij procesi a do të arrijë që të bind Komisionin Evropian që meriton të hap bisedimet për anëtarësim ?

Skrining-u paraqet operacion formal me karakter teknik që realizohet nga ana e Komisionit Evropian dhe ka për qëllim përgatitjen e mirëfilltë të bisedimeve për anëtarësim, që në esencë paraqet prezantim analitik të gjendjes në vendin kandidat që ka të bëjë me sferat e interesit nga e Drejta e Unionit Evropian. Si proces, ai ka për qëllim që në njërën anë të mundësojë që Komisioni dhe vendet anëtare të vlerësojnë në mënyrë korrekte shkallën e përgatitjes për bisedime të vendeve kandidate, dhe në anën tjetër të njëjtët të jenë të informuar në mënyrë të mirëfilltë për planet e tyre të ardhshme si dhe të fitojnë ose marrin drejtime apo të dhëna preliminare lidhur me çështjet ose pyetjet që do të jenë më aktuale gjatë negociatave.

Skrining-u zakonisht zgjat një vit dhe i njëjti realizohet në bazë të një orari ose agjende të përgatitur nga ana e Komisionit apo Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim në konsultim me drejtori të tjera kompetente. Aktiviteti realizohet sipas sferave apo kapitujve, ku përjashtim bëjnë kapitujt 34 “Institucionet” dhe kapitulli 35 “Çështje të tjera”, që në fakt janë temë negociatash që i përkasin fazës së fundit të procesit të hyrjes së vendit në Union. Në këtë drejtim, së pari mbahen takime dhe mbledhje që kanë të bëjnë me sqarime, në të cilat përfaqësuesit e Komisionit në mënyrë të detajuar bëjnë prezantimin e të Drejtës Evropiane ndërsa më pas mbahen takime bilaterale me secilin vend/shtet.

Më pas Komisioni përgatit raport për Skrining-un e realizuar të cilin ia prezanton Këshillit. Pas përmbylljes së Skrining-ut të sferave apo kapitujve të caktuar, me rekomandimin e Komisionit, Këshilli vendos për kohën e fillimit të bisedimeve. Raporti i Skrining-ut përmban katër pjesë:

       Sqarim dhe shpjegime lidhur me të drejtën e Unionit Evropian që përmban kapitulli në fjalë,

       Rezultatet nga Skrining-u, me informata të dhëna nga ana e vendit kandidat, dhe vlerësimin e bërë nga ana e Komisionit,

       Konkluzione dhe sugjerime nga Komisioni. Në pjesën e fundit, Komisioni i sugjeron Këshillit nëse duhet të fillojnë bisedimet për sfera të caktuara dhe nëse jo – cilat janë rregullat që duhet të përfillen dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen.

Kapitull tejet i rëndësishëm lidhur me të drejtën e Unionit Evropian, që Republika e Maqedonisë duhet të bëj reforma rrënjësore është Kapitulli 23 i paraparë në kushtet për anëtarësim, i cili ka të bëj me gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Por çka në fakt nënkupton ky kapitull ? Këtu detajisht janë të parapara politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore që synojnë të ruajnë dhe zhvillojnë më tej Bashkimin si një fushë të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Themelimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është me rëndësi të madhe.

Paanshmëria, integriteti dhe standardi i lartë i gjykimit nga ana e gjykatave janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit. Kjo kërkon një angazhim të fortë për të eliminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin dhe për t’i kushtuar burime të mjaftueshme financiare dhe trajnime. Garancitë ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë duhet të jenë të vendosura. Po kështu, Shtetet Anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi kjo paraqet kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Një kornizë e fortë ligjore dhe institucione të besueshme janë të nevojshme për të mbështetur një politikë koherente të parandalimit dhe parandalimit të korrupsionit. Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë respektin për të drejtat themelore dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së, siç garantohet nga acquis ( legjislacioni i përmbledhur, aktet ligjore dhe vendimet gjyqësore që përbëjnë institucionet e së drejtës së Bashkimit Evropian ) dhe nga Karta e të Drejtave Themelore.

Ku ndodhet shteti ynë? Republika e Maqedonisë reformat më rrënjësore drejt rrugës së integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian duhet ti bëj në sistemin gjyqësor. Vërejtjet më të theksuara të faktorit ndërkombëtar ku shteti ynë ka ngecje të dukshme është pushteti gjyqësor, gjithmonë kemi qenë të kritikuar për gjyqësor të varur, të ndikuar nga faktor të jashtëm politik dhe të grupeve të tjera të interesit, gjë që ka sjellë deri në montime të ndryshme të rasteve të caktuara gjyqësore, vendime gjyqësore jo të mbështetura në prova materiale dhe fakte të tjera juridike, gjykatës dhe prokuror të kapur nga politika, procedura gjyqësore të pa procesuuara, gjykime jashtë afateve të arsyeshme ligjore, vjetërsim të ndjekjes penale ndaj kryerësve të veprave penale, të gjitha këto fakte të pamohueshme që u vërtetuan edhe nga skandali i përgjimeve kundër ligjore të pushtetit të kaluar.

Republika e Maqedonisë për të evituar çdo keqpërdorim të lartpërmendur nga gjykatat dhe prokuroritë do duhet të angazhohet maksimalisht për të reformuar sistemin gjyqësor, për të instaluar gjyqësor të paanshëm, për të evituar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin si dhe për të mundësuar kushte për gjyqësor që do të funksionoj mbi bazat dhe parimet e sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor. Padyshim që fokusi i reformave përgjatë procesit të skriningut do të duhet të përqendrohet në përmirësimin e rregullativës ligjore duke harmonizuar atë me të drejtën e Unionit Europian, gjegjësisht me legjislacionin pozitiv të institucioneve të Bashkimit Evropian. Republika e Maqedonisë duke ndryshuar kornizën ligjore që rregullon funksionimin e sistemit gjyqësor patjetër që duhet të mundësoj depolitizimin e zgjedhjes dhe avancimit të gjykatësve dhe prokurorëve në praktik, a jo vetëm në teori, duke u bazuar në kritere transparente, objektive dhe të bazuara në merita si dhe aplikimin e një sistemi të harmonizuar të performancës bazuar në standardet sasiore dhe cilësore, si bazë për përparimin në karrierë në gjyqësor dhe prokurorinë publike.

Në kapitullin 23 që ka të bëj me gjyqësorin dhe të drejtat themelore detajisht janë të parapara politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore që synojnë të ruajnë dhe zhvillojnë më tej Bashkimin si një fushë të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, dhe për të garantuar këto standarde padyshim që nevojitet reformë rrënjësore të sistemit gjyqësor, që në esencë është një proces shumë i vështirë dhe kompleks por jo edhe i pa realizueshëm.

 

Autor: M-r. KUJTIM  FETAI – doktorant në shkencat juridike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button