Refuzojnë pavarësinë, Kaledonia e Re mbetet pjesë e Francës

Votuesit në ishullin francez të Paqësorit, të njohur si “Kaledonia e Re” kanë marrë pjesë në një referendum, ku është votuar për dy alternativa, mbetjen si pjesë e Francës ose shpalljen e pavarësisë.

Sipas rezultateve të pjesshme të votimit, ata kanë hedhur poshtë kërkesën për pavarësi. Rreth 56.8% e popullsisë së ishullit ka votuar për të mbetur pjesë e Francës, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme në votim ishte gati 80%.

Votimi ishte premtuar si pjesë e një marrëveshjeje dy dekada më parë pas një fushate të dhunshme nga separatistët nga populli Kanak indigjen. Grupet pro pavarësisë u kishin bërë thirrje votuesve të Kanakut të hidhnin poshtë “prangat e autoriteteve koloniale” në Paris, por duket se shumica e ka refuzuar pavarësinë, transmeton Gazeta Shqip.

“Kaledonia e re” është një ishull me depozita të mëdha të nikelit, një komponent vital në elektronikën prodhuese dhe shihet nga Franca si një pasuri strategjike politike dhe ekonomike në rajon. Rreth 175,000 njerëz kanë të drejtë të votojnë në territorin që shtrihet në lindje të Australisë, ku Kanakët përbëjnë 39.1% të popullsisë.

Nacionalizmi francez është i fortë në mesin e europianëve etnikë të territorit, të cilët përbëjnë 27.1% të popullsisë dhe vëzhguesit thonë se edhe disa Kanakë kanë dashur të mbeten pjesë e Francës.

Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Kaledonia tregoi “besim te republika franceze”. Gjatë një vizite në kryeqytet, Nouméa, në maj, ai tha se Franca do të ishte “më pak e bukur pa Kaledoninë e Re”.

Dy referendume të mëtejshme për pavarësinë ende mund të mbahen përpara vitit 2022. Nëse vota e referendumit të djeshëm do të ishte pro pavarësisë, ajo do ta kishte bërë Kaledoninë e Re territorin e parë francez që largohej që nga koha e shkëputjes së Xhibutit (1977) dhe Vanuatut (1980).

Kaledonia e Re është e përfaqësuar në parlamentin francez nga dy deputetë dhe dy senatorë, ndërsa ka një kongres që zgjedh një ekzekutiv me kompetenca mbi disa fusha të politikave – veçanërisht policia, arsimi dhe ligjet lokale.

Ndërkohë ishujt e largët të Francës marrin çdo vit nga qeveria franceze rreth 1.3 miliardë euro (1.1 miliardë dollarë) ndihma.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button