Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri është thirrur në MEPJ

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani është thirrur sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë theksohet se ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë.

“Ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë’, theskohet ndër të tjera në njoftim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përsëriti edhe njëherë thirrjen për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe zëdhënësi i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi, i cili deklaron se prësidenti, Ilir Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

“Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie”

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Kujtojmë se dy ditë më parë, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i varë shtetasi Kostandinos Kaçifa, i cili ishte banor i minoritetit grek.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në fshatin Bularat, Kaçifa ka qëlluar fillimisht me armë zjarri në ajër e më pas mbi punonjësit e policisë, ndërsa mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button