BURGU

Burgu është temë e moçme sa historia e njerëzimit. Për fatet e atyre që janë tretur xhehenemëve të tij janë shkruar mijëra libra, janë kënduar mijëra këngë, janë shfaqur mijëra tragjedi, janë xhiruar mijëra filma…, po burgu burg ka mbetur, dje dhe sot, dje sa sot, dje si sot. Ai është i njëjtë pavarësisht uniformës së gardianëve dhe xhelatëve që thejnë eshtra, demolojnë fytyra, shfytyrojnë vullnete, zhbëjnë njerëz në emër të drejtësisë…

Pikërisht këtë ankth ekzistencial të njeriut të përballur me humbjen e lirisë  e trajton romani Një sagë e vogël e Besnik Mustafajt, me të cilin bën portretin mental, etik dhe historik të shoqërive të gjendura nën kthetra pushtetesh e pushtetarësh satrapë, që për shtyllë qendrore të shtetit e konceptojnë burgun, ku kalben prometejët e idesë së lirisë, të cilët rrezikimi i ekistencës nganjëherë i shtynë të shkelin dinjitetin personal dhe të shndërrohen në kandra kafkiane….

*

Në tre librat (kapitujt) e veprës Besnik Mustafaj rrëfen historinë tragjike të dy familjeve të gjendura në pole të ndryshme të pushteteve të këqia, që vijnë e ikin nga skenat gri të jetës shqiptare më shpesh se stinët e vitit.

Historia e parë është ajo e Omer Hutës, fati i të cilit është i lidhur me burgjet, si kësmet i pashmangshëm i familjes së tij.

Të shkojmë me radhë:

Oso Huta, një hero kryengritës, i njohur në krahinën e origjinës si simbol rrezistence, tretet burgjeve për shkak të sfidimit të pushtetit shtypës. Por Omerin e neveriste lavdia dhe krenaria e pathyeshme e babait, sepse, për shkak të tyre u katandis familja. Ai nuk i çmonte trimëritë që shpiejnë në burg, ndaj, kur u bë baba, u përpoq me të gjitha mënyrat që Bardhylin ta mbajë larg temave të burgut, madje t’i kërkojë të braktisë çdo ndeje ku rastësisht hapet kjo temë. Sipas mësimeve të Omerit, i biri duhej të njihej nga shteti vetëm si një rrogtar lojal, që nuk do të ankohej për asgjë të vetme që lidhej me padrejtësitë e gjithanshme.

Gjer në moshën 12 vjeçare, babai për Omerin ishte vetëm një ëndërr. Ai e përfytyronte atë si burrin më sypatrembur, që guxonte të përballet me pushtetin e hurit e të litarit, madje ta vrasë kryexhandarin e krahinës. Të tillë e kishte skalitur në shpirt portretin e Oso Hutës dhe nuk e pyeste as të ëmën për të, ndoshta nga frika e cënimit të imazhit.

Këtë bindje ia ushqyen adhuruesit e shumtë të babait, që këndonin tinëzisht për bëmat e tij. Omeri madje u bë pjesë e ndejeve të tyre, vishej si burrë, sillej si ata dhe mbante në brez revolen e babait.

Ky burrërim i parakohshëm e bëri të burgosur potencial dhe e shndërroi në pronë të famës së të jatit, gjer në ditën kur, bashkë me nënën, e vizitoi për herë të parë në burg.

Në këtë pikë nis rrëfimi mjeshtëror i autorit mbi tundimet dhe dridhmat e imëta të skutave të shpirtit të djaloshit, i cili nuk e kuptonte si mund të mbylleshin burrat kreshnikë si Osoja në qelitë e ngjashme me strofulla qensh. Por kjo nuk ishte e tëra, sepse kulmi i dëshpërimit erdhi në çastin kur: në korridor u dëgjuan hapa dhe fëshfërima këmbësh që hiqeshin zvarrë; kur në derën e ngushtë u shfaq një trup i imët dhe i ligur burri, prapa të cilit vinte një xhandar trupmadh; kur burri i mpakur me vështrimin që nuk i dukej s’kishte forcë të hedhë asnjë çap drejt vizitorëve; kur papritmas e përfshiu një gulsh i thellë vaji, i cili dallohej vetëm nga dridhjet e mjekrës dhe të supeve…

Qe ky momenti që rrënoi mitin e babait të pathyeshëm, kur ndërmjet tij dhe të birit hyri sinonimi i vdekjes – burgu, që mjaftoi për ta lënë Oso Hutën përfundimisht pa djalë dhe Omer Hutën pa baba… Pas kësaj, Osoja nuk ishte më Promete, po një qenie e tjetërsuar, e shfytyruar, e zhburrëruar, e depersonalizuar…, tek e cila nuk kishte asnjë gjurmë nga imazhi i ndërtuar në fantazinë e Omerit. Parpara të birit krenar qëndronte një grusht mjerimi, për të cilin nëna thoshte se është babai i tij. Zhgënjimi ishte i madh për t’u gëlltitur dhe justifikuar me çfarëdoqoftë. Aq i madh sa s’bëhet. Dhe fajin për këtë gjëmë që lëndoi pariparueshëm shpirtin e Omerit e mbante nëna dhe rrethi që i këndonte këngë trimërie, për të kompensuar mungesën e guximit qytetar për të sfiduar pushtetin e keq.

Kaq mund të kuptonte ai me moshën e njomë, e cila nuk ia mundësonte njohjen e plotë me fajtorët e zhburrërimit të babait MicSokol, të katandisur në hero migjenian që bën gjeste majmunore në prefekturën e misrit…

E rrëfyer nga një usta letërsie, drama e librit të parë të sagës së vogël, e cila e ndryshoi rrënjësisht filozofinë jetësore të Omer Hutës dhe e bëri atë të qëndrojë sa më larg burgut dhe pushtetit,  përvëloi njëkohësisht tre shpirtëra: shpirtin e njomë të djalit, shpirtin e vrarë të nënës së tij dhe shpirtin e babait gjysëm të vdekur, që të kundruara bashkë asocojnë në makthet me përmasa planetare të etnive të gjendura nën thembra pushtetarësh despotë.

*

Historia e burgut familjar si fat i përhershëm i familjes Huta vazhdon edhe në librin e dytë. Në fakt gjithçka është e njëjtë,  sepse në tragjeditë e përsëritshme të njerëzve që kalben burgjeve për idenë zap të lirisë, ndryshon vetëm sistemi, pushtetarët dhe të burgosurit politikë, që zënë vendin e prindërve të tyre.

Në qendër të kësaj pjesë është i burgosuri Bardhyl Huta, i biri i Omerit dhe nipi i Oso Hutës, që, me aktin e shkeljes së rregullave të diktaturës së proletariatit: i kishte humbur të drejtat qytetare, ndaj nuk i takonte asnjë lloj dashurie… Megjithatë, në sajë të sjelljes së mirë në burg, Bardhyli e kishte fituar të drejtën e kalimit të një nate me gruan. Për këtë takim ai kishte flijuar pjesë të vlefshme të dinjitetit dhe kishte ulur kokën përpara gardianëve të egër.

Autori që i njeh mirë darët e burgjeve komuniste, sërish gërmon bindshëm kthinave sekrete të shpirtit të heroit më tragjik të sages së tij Bardhylit, që kishte pritur me muaj takimin me të shoqen Lindën, pa i vajtur mendja se ëndrrën e kalimit të një nate pranë trupit të valë të gruas së dashur …, do t’ia rrënojë kujtesa e takimit, që kishin patur gjashtëdhjetë vjet më parë në rrethana të ngjashme gjyshi dhe babai i tij… Dhe, si të mos mjaftonte kaq, mendjen e lodhur të Bardhit, në momentin më të papërshtatshëm nisën ta rëndojnë edhe ndrojtjet tjera, si: porosia e komandantit të kampit për të mos e përmendur gjatë takimit fjalën burg; syri i fshehtë i gardianëve dhe bindja se ata edhe afshin e papërmbajtshëm të dashurisë mund ta shfrytëzojnë për thyerjen shpirtërore të të burgosurit…; kutërbimi i trupit që vinte nga kalbëzimi i indeve muskulare e nervore që i qenë futur nën lekurë nga muajt e kaluar në qelinë e qelbur; frika nga dështimi poshtërrues gjatë aktit të dashurisë në momentin kur do t’i afrohej Linda e shkrumuar epshesh; parfumi i Lindës, që nuk e dinte se mosmbajtja e erës së burrave nga gratë, mund të konsiderohej gjest armiqësor…; shqisat e tretura për ta ndjerë afrinë e Lindës si dikur; zvetnimi i shijes së dashurisë për shkak të jetës me burra në burg; fiksimi se nuk është i zoti për asgjë, se është gjysëmnjeri, bimë që merr frymë…; dalldia e pakujdesshme e Lindës, që nuk e ndjente si i shoqi praninë e tjetrit në dhomën e burgut të rezervuar për takimin e tyre…; përmendja e burgut nga ana e saj, që mund të merrej  si përzierje e fjalorit erotik me atë politik… dhe një mori kurthesh të fshehta të syrit vigjilent, që mund t’i merrnin më qafë që të dy.

Natyrisht, shqetësimet e Bardhylit ishin produkt i fobive të pakuptueshme për Lindën e përmalluar dashurie. Prandaj hidhej padjallëzisht në përqafimin e akullt të burrit, pa i vajtur mendja në funksionet dredharake të arsyes shtetërore… Muajt e gjatë e kishin bërë të veten dhe ajo nuk ishte e ndërgjegjshme se përkëdheljet e saj i shkaktonin frikë Bardhylit, se ai i kuptonte ato si mëshirim? Nga ta dinte ajo se burgu ushqen paranojën, ankthin, frikën…; se dyshimi në gjithçka i pushtetit i bënte njësoj dyshues edhe viktimat; se burgu e kishte shndërruar Bardhylin në bimë; se kur të burgosurit nuk i ndëshkonte regjimi, ata vetëndëshkoheshin, se kur nuk i ndiqte, ata e ndiqnin vetveten; se në burg edhe akti i dashurisë me njeriun e shpirtit mund të shkaktonte konflikte me pasoja për lidhjen e tyre, ashtu siç edhe ndodhi me Lindën e Bardhin.

Bardhili, ndërkaq, vetëm në momentet e këndelljes ishte koshient për paranojat e tij. Atëherë e pranonte se: duke qenë në marrëdhënie të drejtëpërdrejtë më dhunën e  shtetit, ishte mësuar të merakosej vetëm për mendimet e atyre që ia kishin vënë hekurat dhe të ndërtonte mure mbrojtëse kundër tyre, mure, që në fund rezultonin të padobishëm…

Në këto momente ai dëshironte të jetë krenar si dikur, po tmerret e burgut ia kishin futur frikën në palcë dhe sikur ia kishin mësuar përmendësh atë thënien prej makthi të Emil Sioranit dedikuar viktimave të diktaturës moniste: “Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie”.

*

Libri i tretë hapet me ikjen e parakohshme të Lindës prej dhomës së takimit me të shoqin, për të cilin dështimi ishte histori e përsëritur e aktit të braktisjes së Oso Hutës nga i biri Omeri gjashtëdhjetë vjet më parë. Këtu nis rrëfimi i historisë së gjyshit të Lindës Hyqmet Hydit, që kishte shërbyer në regjime të ndryshme si gardian i devotshëm burgu.

Pas njoftimit me familjen e heroit të radhës, autori nis shtjellon dhembjet shpirtërore të gardian Hyqmetit, që nuk mund të pajtohej me arratisjen nga burgu i të burgosurve politikë, menjëherë pas kapitulimit të Italisë fashiste.

Nëpunësi i devotshëm që nuk trazohej me asgjë, me kusht që të mos ia cënojnë të drejtën e të qenit gardian, roboti konician që kryente detyrat sipas rregulloreve strikte të pushtetarëve punëdhënës, tani bie në zi dhe mbyllet brenda mureve të shtëpisë.

Autori kreativ ndërrimin e pushteteve që boshatisën burgjet e jep nëpërmjet ndërrimit reciprok të rolit të gardianëve me atë të të burgosurve, që përsëritet pothuajse pas gjithë trazirave që ndodhin në kapërcyej historishë…

Duke shpërfaqur një nga një traumat e Hyqmetit, autori, ndërmjet tjerash, hedh dritë mbi fëmijërinë e Lindës, nënën e saj Selvin dhe gjyshen Sanije, me të cilat Hyqmeti i përhumbur grindet dhe ndërpret gati çdo komunikim. Pezmatimin e tij e stërkeqin thashethemet rreth gurëve me të cilët mbushi qelitë e burgut ditën kur u braktis prej të burgosurve politikë. Më shumë se të vërteta, të dhënat që qarkullonin sajoheshin në berberhanen e kasabasë, që ishte bërë qendër informative levantinësh. Fakti se gjithçka gatuhej në berberhane hedh dritë mbi nivelin kulturor të shqiptarëve të kohë-hapësirës në të cilën shkrimtari i vendos ngjarjet e romanit. Në një ambient të tillë thashemnajash dhe gjysëm të vërtetash, gjithçka mund të ishte e vërtetë dhe e pavërtetë njokohësisht, sepse vinte nga mendësia e njerëzve të thjeshtë, nga syri vigjilent i popullit, nga mekanizmi, që për paradoks, edhe atëherë kur dukej se është në funksion të mbrojtjes së lirive njerëzore, e bënte të kundërtën, përkatësisht: vetëkontrollohej për interes të pushtetit.

Edhe këtu Besnik Mustafaj jep me zgjuarësi ndjesitë e njerëzve në fazën e humbjes së pushtetit dhe rrënies së pashmangshme. Të bën përshtypje shkrimtari dhe gazetari obortar Andrea Bodeci, i njohur nga bashkëvendasit si shërbëtor pushtetesh e pushtetarësh, që gjithashtu ka rënë nga autoriteti dhe në përpjekje të zbutjes së katandisjes bëhet vizitor i rregullt i berberhanes së Ali Qyfirës, kësaj qendreje ku gatuhej politika, gazetaria, kultura… Ishte kjo mënyra e tij për t’ia bërë të ditur qytetit pendesën për ligësitë e së shkuarës. Në dallim prej të tjerëve, ai shkonte në berberhane, jo për t’u qethur po për të marrë mesime nga njerëzit e thjeshtë që ishin aty për të hequr koke leshrat e tepërt.

Libri i tretë është me elemente të shumta burlesku, sepse kategoria e Andrea Bodecit dhe Hyqmet Hidit, dikur personalitete të pacënueshme, u katandisën dhe u bënë objekt talljesh edhe për budallenjtë e kasabasë. Është kjo ironi e fortë që vë në lojë sistemin e ri që po instalohej, në qendër të të cilit qëndronte institucioni i quajtur berberhane.

Në epilogun e romanit shfaqet sërish Linda shtatzënë, që pret të lindë një djalë. Autori e lë të hapur çështjen e shtatëzënisë së saj, e cila vërtet kishte vizituar të shoqin në burg, po atje nuk kishin bërë asgjë prej gjëje. Sidoqoftë, shkruan autori, shtatzënia në fjalë nuk kishte ardhur si pasojë e mbarsjes me shpirtin e shënjtë…

Fundi i romanit është si fundi i një tragjedie:  Linda lind një fëmijë gur, i cili pashmangshëm do të merrte njërin nga dy drejtimet e papërcaktuara: të parin që do ta shndërronte në birin e një të burgosuri politik, ose të dytin, që do ta shndërronte pak nga pak në gardian burgun, i cili vazhdonte e do të vazhdonte të zinte kështjellën e vjetër të qytetit. Drejtim të tretë nuk do të kishte… Si biri i një të burgosuri, edhe ai do ta urente të jatin si Omer Huta, kurse si gardian do të urrehej nga familjarët e tij… Në të dy rastet jetën do ta kishte njësoj të pështirosur. Shi për këtë, e vetmja mundësi që kërthini i saj të mos vuajë si paraardhësit, ishte fakti se e lindi fëmijë gur…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button