fbpx

Me rebalancin zvogëlohen mjetet buxhetore për integrim në NATO

Qeveria me rebalancin e Buxhetit për vitin 2018 planifikon shkurtim të  shpenzimeve financiare në Ministrinë e mbrojtjes, të planifikuara për integrim në NATO. Me Buxhetin e vitit 2018 në anën e shpenzimeve për Ministrinë e mbrojtjes për zërin avancim të sigurisë dhe mbrojtjes përkatësisht integrim në NATO kanë qenë të parapara 935.000.000 denarë, ndërsa me rebalancin ky pozicion zvogëlohet në 855.000.000 denarë, shkruan “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Bie në sy se shkurtimi i parave të parapara për integrim në NATO vjen në periudhë kur zëvendësja e kryetarit të Qeverisë dhe ministre e mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ministri për punë të jashtme Nikolla Dimitrov dhe Koordinatori Nacional për NATO Stevo Pendarovski si anëtarë të Komitetit për integrim në NATO qëndrojnë në selinë e Aleancës në Bruksel, ku dje filloi faza përfundimtare e bisedave për hyrjen e vendit tonë në NATO, që do të zgjasin deri më 19 tetor.

Nga Ministria e mbrojtjes pohojnë se me rebalancin e propozuar mjetet e planifikuara në nën-programin VA – integrim në NATO, do të shkurtohen për 80 milionë denarë.

“Shkurtimi nuk do të reflektohet në procesin e integrimit në NATO, sepse bëhet për shkak se aktivitetet e planifikuara dhe blerje janë veç më të realizuara apo do të realizohen me kursim, përkatësisht me më pak mjete se ato të planifikuara. Dëshmi për atë është edhe fillimi nga dita e kaluar i bisedave për anëtarësim në NATO, proces të cilin e kemi pritur dhe dëshiruar tash më 2 dekada”, thonë nga ministria.

Sipas paralajmërimeve, nëse kalojnë ndryshimet kushtetuese për pranimin e Marrëveshjes me Greqinë, i tërë procesi duhet të përfundojë deri në fund të dhjetorit këtë vit. Pastaj, në janar të vitit 2019, Republika e Maqedonisë duhet ta nënshkruajë Protokollin për anëtarësim me të drejtë për pjesëmarrje në të gjitha trupat e NATO-s, mirëpo, pa mundësinë për të votuar, kurse pranimi i vendit tonë si anëtar i plotfuqishëm do të duhet të ndodh pasi të gjitha vendet anëtare ta ratifikojnë Protokollin për anëtarësim edhe atë, secili veçmas në parlamentet e tyre nacionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button