Të jetosh nën një kulm me gruan që s’e do
Të jetosh nën një kulm
Me gruan që s’e do
Nuk do të thotë se e mashtron veten ose atë.
Të jetosh nën një kulm
Me gruan që s’e do
Do të thotë të përpushësh në dashuri,
Si në kovën e mbeturinave – Nuk ha por gjen diçka.
Nëse jeton me gruan që s’e do
Nën një kulm
Do të thotë se lumturinë tënde e kanë vjedhur
Si hajnat kalin!
Nëse jeton nën një kulm
Me gruan që s’e do
Në mbrëmje e hap derën
Si kapakun e arkivolit.
Dhe nëse krahas telasheve janë edhe fëmijët,
Do të thotë se t’i kanë vjedhur të gjitha gëzimet
Që kanë jetuar brenda teje.
Burri nuk vjen në atë shtëpi
Ku jeton me gruan që s’e do.
Ai çdo natë vjen në tymin e zjarrit të sapofikur
Me të cilin është mësuar.
Madje edhe limonada mbi tryezë,
Të cilën e ka vënë gruaja të cilën s’e do,
I ngjan verës.
Burri dehet nga dëshpërimi i tij.
Po të ketë ndodhur të jetosh
Me gruan që s’e do
Nën një kulm,
Bëhesh i ngjashëm me dollarin e rremë çeçen
Në tregjet e Rusisë,
Harxhohesh për cikërrima,
Duke shkuar dorë më dorë.
Nëse jeton nën një kulm
Me gruan që s’e do,
Unë e shoh vetëm një shteg për ty
Të lindesh përsëri.
Autor: Ferid Hysein
Përktheu: Xhabir AHMETI