A preken parimet e Pakos së Ahtisaarit me ndryshimin e kufirit?
Hapja e temës rreth ndryshimit të kufirit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nxitur jo vetëm debate të shumta, por ka hapur edhe çështje politike, të cilat reflektojnë si në zhvillimet e brendshme, ashtu edhe në ato me përmasa rajonale.
Shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës me vendet aleate perëndimore, ishte bazuar në Planin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i njohur si Pakoja e Ahtisaarit, njofton REL.
Tani, një dilemë tjetër që shtrohet është se çfarë efektesh mund të ketë një marrëveshje eventuale për ndryshim të kufirit mes Kosovës e Serbisë në këtë Pako që ka shërbyer edhe si bazë për Kushtetutën e Kosovës.
Profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, thotë se në rast se arrihet marrëveshja për ndryshim të kufijve, atëherë, Kosova do të duhej të insistonte në ndryshimin e Kushtetutës, veçanërisht, pjesën që përfshin të drejtat dhe garancitë për minoritetet.
“Statusi politik e kushtetues i serbëve në Kosovë është i pazakonshëm dhe në kundërshtim me Konventën Kornizë të Unionit Evropian për minoritetet. Serbëve iu garantohen të gjitha të drejtat, por jo të drejtat që kur t’iu teket ose kur të marrin instruksione nga Beogradi, ta bllokojnë funksionimin e Legjislativit dhe Ekzekutivit në vendin tonë”, vlerëson Smaka për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshimi i territorit, sipas profesorit Smaka, mund të ketë edhe implikime të tjera politike e ligjore.
Ish-shefi i Njësitit ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Capusssela, ndonëse e kundërshton ndryshimin e kufijve, ai beson se edhe nëse arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, nuk preken parimet e Pakos së Ahtisarit, mbi të cilin propozim u shpall pavarësia e Kosovës.
“Tani Kosova është një shtet i pavarur, u bë e pavarur përmes Pakos së Ahtisarit. U mbikëqyr për katër vjet. Mbikëqyrja përfundoi, sepse Kosova e zbatoi atë në mënyrën e duhur. Tani ju mund të diskutoni nëse kjo është e vërtetë apo jo, nëse Plani i Ahtisarit është zbatuar në realitet dhe jo vetëm duke bërë ligje adekuate. Por, formalisht, shtetet sikur Suedia që kanë nënshkruar deklaratën se Pakoja e Ahtisarit është implementuar, nuk do ta kenë të drejtën të thonë se ne do ta tërheqim njohjen pasi ndarja ose shkëmbimi i territorit është kundër Planit të Ahtisaarit. Nuk mendoj se ata do ta kishin të mundur ta bënin atë”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Andrea Capussela.