Evropiani i Volejbollit, Turqia fiton ndaj Serbisë
Faza finale e Kampionatit Evropian të Volejbollit U-19 për femra, ka vazhduar në Tiranë dhe Durrës, me ndeshjet e ditës së katërt, raporton Anadolu Agency (AA).
Turqia është përballur me Serbinë në sallën sportive “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës, ndeshje e cila ka përfunduar me rezultatin 3-1 në favor të ekipit turk (22-25, 25-17, 25-21, 25-21).
Edhe ndeshja e sotme është ndjekur nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, si dhe nga tifozët.
Deri tani Turqia është përballur me Gjermaninë, Sllovakinë, Rusinë dhe Serbinë, ndërsa më 6 shtator ekipi turk do të përballet me Francën.
Në fazën finale marrin pjesë ekipet e Shqipërisë, Turqisë, Serbisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Holandës, Rusisë, Bjellorusisë, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Francës.
Evenimenti sportiv organizohet në bashkëpunim mes Federatës Evropiane të Volejbollit dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.