Aleanca për Shqiptarët: Nuk është bërë asgjë për reformat në arsim (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët me rastin e fillimit të vitit shkollor, vlerëson se pavarësisht premtimeve të shumta për reforma në sferën e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë, njofton Portalb.mk.

“S’do mend që sot në vend që të flasim për suksese dhe arritje, jemi dëshmitarë që pikërisht në këtë fillim viti të ri shkollor, MASH-i e fillon me një skandal korruptiv me vlerë prej 5,3 milion euro duke bërë marrëveshje në katër sy me një ndërmarrje jashtë çdo procedure ligjore”, thotë Ekrem Ismaili nga Departamenti për Arsim në Aleancën për Shqiptarët.

Sipas tyre, projektligji për arsim fillor që ende nuk ka arritur në procedurë parlamentare nuk përmban asnjë risi.

“Ky propozim ligj është edhe më restriktiv, dhe në vend që të ofrojë prosperitet, edhe më tepër e ka degraduar këtë sferë jetike të shoqërisë me tendencë për centralizim të sistemit arsimor, ku në vend që kryetari i komunës të ketë autonomi në krijimin e politikave arsimore , tentohet që me kontroll nga qeveria duke ua marrë kompetencat tu pamundësohet qeverisja , rasti me komunën e Gostivarit. E kujtojmë opinionin e gjerë se ky propozim është një kopje e ligjit të vjetër, me një makijazh sipërfaqësor që ngërthen shumë paqartësi dhe huti në lidhje me kompetencat e organeve që drejtojnë, udhëheqin dhe kontrollojnë këtë nënsistem të sistemit të përgjithshëm arsimor, sidomos në shtrirjen vertikale të kompetencave të organeve drejtuese, ku në gërshetimin e tyre ngatërrohen kompetencat edhe atë: organ udhëheqës, organ drejtues, këshill komunal, kryetar komune, BZHA, MASH dhe ministër”, tha Ismaili.

Problem tjetër i madh, sipas Aleancës për Shqiptarët është është shpërngulja masive, posaçërisht e të rinjve me shkollim të mesëm, numër që arrin diku rreth 40%, ndërsa në punësimet e reja rreth 50% dominojnë të punësuarit me shkollë të mesme profesionale.

“Kyçja e fëmijëve shqiptar nëpër çerdhe është rreth 4% pra 8 herë më pak se kyçja e fëmijëve maqedonas, jo rastësisht fëmijët shqiptar ngecin dukshëm në testet e PISA-s që ka të bëjë me analfabetizmin funksional. Në qëllimet dhe strategjitë që ndërmerren nga qeveria, për këto aktivitetet janë paraparë edhe mjete të majme por nëpër shkollat e mesme profesionale dhe çerdhet në komunat shqiptare, diçka konkrete dhe e kapshme nuk shihet.

Duke e marrë parasysh të lartpërmendurën dhe problemet e paraqitura para jush, ftojmë organet kompetente për zbardhjen e rasteve koruptive ndërsa qeverinë dhe ministritë përkatëse që ti rishikojnë këto propozime, ndërsa ne si Aleancë jemi të gatshëm të ndihmojmë duke ofruar ekspertët tanë”, tha Ismaili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button