LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Kosova sot mori rekomandimin për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Integrimit Evropian (MIE) të Kosovës, Dhurata Hoxha, nga Brukseli ka njoftuar dhe përgëzuar qytetarët e Kosovës për marrjen e vendimit pozitiv për vizat.

Në një njoftim nga MIE thuhet se me këtë rast ministrja Hoxha ka thënë se “Komisioni LIBE sapo votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë, edhe një sukses i përbashkët drejt afrimit me familjen evropiane. Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje”.

Ajo tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar. “Presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, tha ministrja Hoxha.

Kujtojmë se në muajin korrik Kosova mori rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, ku komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur dy kërkesat e pazgjidhura, përkatësisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe një procesverbal të forcuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave.

Ai ka theksuar se vendimi për liberalizim të vizave tani është në duart e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button