Erdoğan paralajmëron SHBA-të se po dëmtojnë interesat dhe sigurinë e tyre

 Hapat e njëanshëm të cilët i kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vetëm se dëmtojnë interesat dhe sigurinë e tyre, shkroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një artikull të cilin e botoi The New York Times.

“Në kohën kur e keqja vazhdon të rri në përgjim anembanë botës, vendimet e njëanshme të SHBA-ve kundër Turqisë, aleatit tonë disadekadësh, vetëm se do të shërbejnë për të minuar interesin dhe sigurinë amerikane”, shkroi Erdoğan.

Vërejtjet e tij u bënë pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur tarifat për aluminin dhe çelikun turk.

Erdoğan i bëri thirrje Uashingtonit të heqë dorë nga nocioni i gabuar, se marrëdhëniet dypalëshe mund të jenë “asimetrike”, dhe të marrë në konsideratë se Turqia ka alternativa, “para se të bëhet tepër vonë”.

“Dështimi për të kthyer mbrapa trendin e unilateralizmit dhe mosrespektit, do të na bëjë që të kërkojmë miq dhe aleatë tjerë”, shtoi më tej Erdoğan.

Rikujtojmë se Trump të premten dyfishoi tarifat për importet turke, 20 për qind për aluminin dhe 50 për qind për çelikun.

Presidenti i Turqisë, nënvizoi se dy vendet kanë qenë partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO për gjashtë dekada, duke i rikujtuar Uashingtonit se Turqia dhe SHBA-ja “gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj qëndronin krah për krah njëra tjetrës kundër sfidave të përbashkëta”.

“Përgjatë viteve, Turqia nuk ka nguruar të ndihmojë Amerikën kur ka pasur nevojë”, tha Erdoğan, duke përmendur disa nga rastet në fjalë.

“Ushtarët dhe ushtaret tanë derdhën gjakun bashkë në Kore. Në vitin 1962, administrata e Kennedyt, ia doli të detyrojë sovjetikët të largojnë raketat nga Kuba, pasi largoi raketat Jupiter nga Italia dhe Turqia”, shkroi presidenti turk për të shtuar:

“Në kohën e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, atëherë kur SHBA-të mbështeteshin në ndihmën e miqve dhe aleatëve të tyre për të sulmuar të keqen, ne dërguam trupa në Afganistan për të ndihmuar misionin e NATO-s atje”, qëndron në opinionin e Erdoğanit të publikuar në prestigjiozen amerikane The New York Times.

SHBA-të dështuan të kuptojnë shqetësimet e popullit turk

Erdoğan thotë se Uashingtoni gjithmonë ka dështuar të kuptojë dhe respektojë shqetësimet që ka populli turk. Ai shkruan se mosmarrëveshjet mes dy vendeve kanë filluar të shfaqen në vitet e fundit, dhe janë të kota përpjekjet e Turqisë për të ndryshuar “trendin e rrezikshëm”.

“Partneriteti jonë mund të rrezikohet, nëse SHBA-të nuk fillojnë së respektuari sovranitetin e Turqisë dhe dëshmojnë se kuptojnë rrezikun me të cilin përballet kombi ynë”, tha Erdoğan.

Duke kujtuar përpjekjen e dështuar të grusht shtetit më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi, të cilin e orkestroi organizata terroriste FETO, me në krye Fetullah Gylenin, Erdoğan tha kjo është e ngjashme me atë që ka përjetuar populli amerikan në dy raste të ndara.

“Gylenistët tentuan të kryejnë një puç të përgjakshëm kundër qeverisë sime. Atë natë, miliona qytetarë të thjeshtë nuk hezituan të dalin në rrugë për të shprehur atdhedashurinë e tyre, ngjashëm me atë që përjetoi populli amerikan pas Pearl Harborit dhe sulmeve të 11 Shtatorit”, tha ai.

Erdoğan shkruan se 251 njerëz të pafajshëm paguan çmimin më të shtrenjtë për lirinë e popullit turk, përfshirë këtu shoqëruesin shumëvjeçar dhe menaxhuesin e fushatës së e tij Erol Olçok dhe të birin e tij Abdullah Tayyip Olçok.

“Populli turk priste që SHBA-të në mënyrë të qartë të dënojnë sulmin dhe të shprehin solidarizimin me lidershipin e zgjedhur turk. Nuk bëri një gjë të tillë”, tha ai.

“Reagimi amerikan ishte larg nga i prituri. Në vend që të rreshtohen me demokracinë turke, zyrtarët amerikanë bënë thirrje të qetë për stabilitet, paqe dhe një vazhdimësi me Turqinë. Për të bërë gjërat akoma më keq, nuk është bërë një përparim lidhur me kërkesën e Turqisë për ekstradim të Fetullah Gylenit nën një marrëveshje dypalëshe”, shkruan Erdoğan.

Partneriteti i SHBA-ve më PYD/YPG

Në tekstin e tij të publikuar, Erdoğan përmend edhe përkrahjen të cilën SHBA-të i’a japin PYD/YPG-së, e cila është një degë siriane e grupit terrorist PKK, përgjegjëse për vrasjen e mijëra qytetarëve turq, që nga viti 1983.

Ai tha se një burim tjetër të frustrimit paraqet pikërisht partneriteti i SHBA-ve me PYD/YPG-në, për të shtuar se edhe SHBA-të e cilësojnë si grup terrorist.

“Sipas vlerësimeve të autoriteteve turke, në vitet e fundit Uashingtoni ka përdorur 5.000 kamionë dhe 2.000 avionë kargo për t’i dorëzuar armë PYD/YPG-së”, shkruan Erdoğan.

Presidenti turk shtoi më tej se qeveria e tij në mënyrë të përsëritur ka shprehur shqetësimin për faktin se zyrtarët amerikanë trajnojnë dhe pajisin me armë aleatët e PKK-së në Siri.

“Fatkeqësisht, fjalët tona kanë hasur në vesh të shurdhër, për çka armët amerikane përfunduan në përdorim për të sulmuar civilët dhe pjesëtarët e forcave tona të sigurisë në Siri, Irak dhe Turqi”, tha ai.

Erdoğan thotë se Uashingtoni ka ndërmarrë hapa për të eskaluar tensionet me Ankaranë duke përdorur si pretekst arrestimin e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili mbahet në arrest shtëpiak, me akuzat se ka ndihmuar organizatën terroriste.

“Në vend të respektimit të procesit gjyqësor, ashtu siç e inkurajova presidentin Trump në takimet dhe bisedat tona të shumta, SHBA-të lëshuan kërcënime të ashpra ndaj një vendi mik, si dhe vazhduan të vendosnin sanksione ndaj disa anëtarëve të kabinetit tim”, tha ai.

Sipas presidentit Erdoğan, vendimi i tillë është i papranueshëm, joracional dhe skajshmërisht i dëmshëm.

Turqia nuk u përgjigjet kërcënimeve

Erdoğan thotë se Turqia nuk u përgjigjet kërcënimeve, por do të sanksionojë disa zyrtarë amerikanë për ta ndjekur atë. “Turqia ka dëshmuar disa herë se vet do të kujdeset për çështjet e saj, nëse SHBA-të refuzojnë të dëgjojnë”, paralajmëroi Erdoğan.

“Në vitet 1970-ta, qeveria e Turqisë ndërhyri për të parandaluar një masakër mbi turqit etnik nga grekët qipriot, pavarësisht vërejtjeve të Uashingtonit. Së fundmi, dështimi Uashingtonit për të kuptuar seriozitetin e shqetësimeve tona lidhur me kërcënimet e sigurisë kombëtare që burojnë nga veriu i Sirisë, rezultoi me dy operacione tona ushtarake të cilat prenë qasjen e të ashtuquajturit Shteti Islamik në kufijtë e NATO-s, si dhe larguan militantët e YPG-së nga qyteti i Afrinit”, tha Erdoğan.

Njëjtë si në rastet në fjalë, ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesin tonë kombëtar, përfundon presidenti i Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button