Mbjellësit e urrejtjes

Javën e kaluar u shënua përvjetori i Kryengritjes së Ilindenit në Krushevë. Fjalimi i fundit i presidentit të shtetit për mandatin e tij në këtë festë ishte skandaloz, ashtu si që gjithmonë priten skandale prej këtij personi që habiti tërë botën e civilizuar me faljet e tij spekatkolare të 12 Prillit 2016. Kësaj rradhe fjalimi ishte skandaloz sepse ai haptazi dhe në mënyrë të ulet e keqpërdori pozitën e tij për të thelluar edhe më tej hendekun e urrejtjes mes qytetarëve: mes atyre që përkrahin Marrëveshjen për Emrin dhe atyre që janë kundër, si dhe normalisht, mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Figura e shefit të shtetit është figuë politike e cila duhet të mbjellë harmoni, solidarizim dhe bashkim mes qytetarëve dhe jo ndasi dhe urrejtje.

Por këtë Ivanov nuk e ka pasur asnjëherë të qartë. Gjatë të dy mandateve të tij ai ka bërë të kundërtën e asaj që parasheh funksioni i lartë shtetëror që ai e ekzekuton. Dhe fakti që ky është viti i fundit i mandtit të tij nuk është një lehtësim por është një tragjedi: si kemi mundur vallë ne si shoqëri të durojmë 10 vite me rradhë një shef të tillë shteti? Çfarë flet kjo për ne? Çfarë pamje japim para miqve të huaj kur të njejtët përballen me skandalet e tij që atë ditë në Krushevë rezultuan me sulme të hapura ndaj ambasadorëve të vendeve mike?

Si u dukemi ne atyre kur dy herë rradhazi kemi zgjedhur një njeri si Ivanovi të na përaqësojë? A thua vallë si ndihen ata që bënë të mundur zgjedhjen e tij për president në mandatin e dytë duke thirrur në bojkotim të zgjedhjeve presidenciale? Pikërisht ky është një shembull i mirë se ku dërgon bojkotimi i një procesi të rëndësishëm politik. Dërgon në një realitet ku Ivanov dy herë radhazi zgjidhet president i shtetit. Dhe pastaj bën “çudira” gjatë mandait të tij të fituar me bojkot. Mjerim!

Ajo që përfundimisht duhet marrë seriozisht është dënimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Mendoj se të gjithë ata që kanë arsye të shëndoshë në këtë vend e kuptojnë tani më që kështu nuk mund të shkojmë më tej. Është koha e fundit kur gjuha e urrejtjes që aq lehtazi e përhapin njerëzit si Milenko ose “tifozë” të ndryshëm të sanksionohet në mënyrë adekuate. Përhapja e urrejtjes në këtë vend është keqpërdorur me dekada, tej mase dhe jashtë çdo kufiri. Sa herë që janë nevojitur trazira ato lehtazi janë realizuar pikërisht përmes mbjelljes së urrejtjes  në mënyrë istitucionale. Ashtu siç bëri Ivanov javën e kaluar me 2 Gusht, ashtu bënë edhe udhheqësit e protestave për “Maqedoni të pastër” të cilat rezultuan me terrorizmin e 27 Prillit kur pikërisht me qëllim të mbjelljes së urrejtjes dhe shkaktimit të luftës ndëretnike u tentua të vritet Zijadin Sela.

Të njejtat struktura që shkaktuan Rastin e Kumanovës në 2015 pas të cilit rast dhanë dorëheqje edhe ish-ministreja Jankulovska edhe ish-shefi i DSK Mijallkov qëndrojnë pas incidenteve të mbjelljes së urrejtjes sa herë që u nevojitet një gjë e tillë. Dhe këtë kanë mundur gjithmonë ta realizojnë duke garantuar paprekshmëri për mbjellësit e urrejtjes të cilet kanë mbi 30 vjet që kërkojnë dhoma gasi për bashkëqytetarët e tyre.

Është koha e fundit që kjo paprekshmëri dhe ky imunitet i mbjellësve të urrejtjes të përfundojë. Ligjet e këtij vendi parashohin dënime të rënda për krimet e urrejtjes dhe për gjuhën e urrejtjes. Kështu që është koha e fundit që ato ligje të fillojnë të zbatohen. Dëgjuam se prokuroria publike tani më ka ngritur hetime për këto raste. Nuk mjafton vetëm të ngrihen hetime, duhet të njejtat të rezultojnë me aktakuza dhe me aktgjykime adekuate.

Vetëm atëherë mbjellësit e urrejtjes do e kuptojnë se institucionet kanë vendosur seriozisht të meren me ta. Vetëm atëherë do ta kuptojnë se ajo që e kanë bërë me vite dhe dekada, nuk ia ka vlerë aspak, sepse nuk ka gjë më të keqe se sa të pranosh me plot vetëdije të keqpërdoresh nga struktura politike për qëllimet e tyre ditore dhetë shërbesh si mbjellës i urrejtjes dhe në fund të përfundosh i gjykuar dhe i dënuar për një krim kaq të ulët, kaq të poshtër dhe idiotesk.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button