I vunë emrin e tij, por Xhorxh Everest nuk e pa kurrë majën më të lartë në botë

Sër Xhorxh Everest, ishte eksploruesi më i madh në historinë britanike. Në vitin 1823, ai mori përsipër eksplorimin e imtësishëm të Indisë, pas vdekjes së eprorit të tij, kur dhe mori pozitën e kryevëzhguesit të përgjithshëm të Indisë 7 vjet më vonë. Për shkak të hartave shumë të sakta të Everestit në Indi, ai u nderua në një mënyrë shumë të veçantë. Mali Everest, maja më e lartë e botës, mban emrin e tij, shkruan Bota.al.

Po kush ishte Xhorxh Everest? Interesi i Everest në vëzhgimin e rajoneve të ndryshme, lindi që në vitet e studimit në shkollën ushtarake në Angli. I riu shkëlqeu në dijet e tij inxhinierike, dhe ndërmori një turne 7-vjeçar në Bengal, gjatë viteve 1806-1813. Në vitin 1814, ai u zhvendos në Inditë Lindore të Holandës, ku ndihmoi në përfundimin e studimit trigonometrik të ishullit Java për 2 vjet me radhë.

Më pas, Everest u rikthye në Indi më 1818, ku kaloi 25 vitet e ardhshme duke e ndihmuar Britaninë në hartimin e gjithë nënkontinentit. Kur Everest u kthye në Indi, ai iu bashkua kolonelit Uilliam Lembton, një mik i mirë me të cilin punoi që më 1806 në studimin gjeografik të Bengalit.

Lembton vdiq më 1823, dhe kjo i dha Everest një shans të artë për të vënë në zbatim të plotë dijet e tij teorike. Në vitin 1830, Everest u bë vëzhguesi kryesor i Indisë. Kjo i mundësoi të merrte edhe më shumë burime financiare, për të vazhduar studimin gjigant të Indisë.

Ai kreu matje të sakta të një vendi të madh, dhe me një gamë të gjerë klimatike. Ai dhe bashkëpunëtorët depërtuan mes xhunglave të dendura dhe shkretëtirave të thata. Në një moment, Everest sëmuret. Puna u ndal. Sapo shërohet, rikthehet dhe vazhdon punën.

Everesti ishte më shumë se sa thjesht një gjeograf, ai ishte edhe një shpikës.

Si inxhinier, ai bëri disa përmirësime në pajisjet matëse të kohës. Ekipet e tij kanë bërë matje të sakta nga Himalajet, deri në majën jugore të nënkontinentit indian, një arritje e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se kryerja e matjeve në terren, bëhej pa ndihmën e lazerëve të teknologjisë së lartë, sateliteve apo fotove ajrore.

Ekipet e vëzhgimit filluan të përdorin teodolitët primitivë, përpara se Everesti t’i përmirësonte këto pajisje. Everesti ishte gjithashtu maniak pas saktësisë. Ai nuk largohej nga një zone, derisa të sigurohej se kishte marrë të dhënat e sakta. Informacioni i tij, ndihmoi në hartimin e hartave më të sakta gjeografike të Indisë.

Everesti u tërhoq nga detyra më 1843, kur kishte gradën e kolonelit në ushtri. Për punën e tij të vështirë, Mali Everest mori emrin e tij më 1856. Një matematikan që punonte në Vëzhgimin e Madh Trigonometrik të Indisë, me emrin Radhanath Sikhdar, zbuloi malin më të lartë në botë në vitin 1852.

Ai i raportoi gjetjet e tij tek Endrju Skot Voug, paraardhësi i Everestit si një matës i përgjithshëm. Katër vjet më vonë, Voug vendosi të emërtojë pikën më të lartë të botës sipas emrit të Everest. Mali Everest u bë emri anglez i majës më të lartë të botës, edhe pse vendasit tashmë kishin një emër për të.

Mali quhej Xhomolungma nga tibetianët, dhe Sagarmatha nga nepalezët. Anglishtja më në fund kishte një emër për të, pavarësisht kundërshtimeve nga vetë Everestt. Pesë vjet pas emërtimit të malit Everest, ish-gjeografi i famshëm mori titullin kalorës nga Mbretëresha Viktoria për kontributin e tij ndaj Britanisë.

Pesë vjet më vonë, më 1866, Everest vdes në paqe në Angli, pas një jete plot arritje. Kjo histori ka një ironi të madhe. Pasi Everesti nuk ka gjasa të ketë pare asnjëherë majën që mban emrin e tij.

Ai u tërhoq nga detyra më 1843-in, dhe ekipet britanike të vëzhgimit nuk kishin shkuar ende në Nepal për të matur lartësinë e maleve atje. Everesti pati një mal me emrin e tij, vetëm për shkak të reputacionit të tij si gjeograf, dhe për shkak se kolegët e tij më të rinj e adhuronin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button