LAMTUMIRË ADEM DEMAÇI!

Nëse letërsia shqipe e krijuar në Kosovë ka pasur një disident të vërtetë, nëse kultura shqiptare ka pasur një Promete, nëse në mesin e shqiptarëve të Kosovës ka jetuar një hero i gjallë…, ai ka qenë Adem DEMAÇI – sfiduesi i përjetshëm i GJARPIJVE TË GJAKUT.

Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, po jo të gjithë e pranojnë, sepse një pjesë e tyre janë gjarpijtë e etnisë fatkeqe për lirinë e së cilës Ademi e plaku jetën nëpër qelitë e burgjeve të tipit mesjetar.

Ata që e deshën Adem Demaçin sa qe gjallë dhe ata që e ndjejnë vakumin e mbetur pas ikjes së Tij fizike nga kjo botë janë të shumtë, gjithsesi më të shumtë se gjarpijtë. Të tillët e çmojnë vlerën e veprës së tij letrare, e vlerësojnë sakrificën e bërë për të mirën e përgjithshme të kombit, e respektojnë kontributin e tij për të zgjuar nga gjumi i vdekjes dinjitetin e fjetur, e falënderojnë përjekjen e tij për konvertimin e shpirtit të rrobit në zjarr lirie… Të tillët e dinë se në këtë stinë të egër në të cilën është rëndomësuar e keqja, në këtë dimër të acartë kur janë ngritur lugetër ballabanbaderët, esadtoptanët dhe haxhiqamilët, që hapin me lezet varrin e atdheut për intereset e armiqve të dëshmuar të racës shqiptare…, nuk është njësoj të kesh a të mos kesh një Adem Demaç, një Promete që nuk hezitoi kurrë ta thotë troç të vërtetën e tij, si përpara kuçedrave serbe, si përpara hundëleshëve të politikës qorre shqiptare.

Ata që nuk e kanë dashur, ndërkaq, ata që e kanë denoncuar dhe mbajtur burgjeve, e pritën momentin për ta goditur me gur e dru në periudhën kur e drejta e fjalës u katandis në të drejtën e lehjes kuturu. Ata ia relativizuan gjithë veprimtarinë letrare, kulturore e atdhetarë, e quajtën madje dhe spiun serb, duke i futur kastile brenda kllapave idiote 30 vitet e “privilegjeve” të Ademit në zëndanet sllave.

Natyrisht, Adem Demaçi qe njeri – si unë, si ti, si ne…, ndaj, përgjatë rrugës prej veprimtari atdhetar, i është përvjedhur dhe ndonjë lajthitje në gjykimin e fenomeneve tona atipike, me të cilat sigurisht nuk ka mundur t’i dëmtojë shqiptarët, sepse nuk qe kurrë kryetar a kryeministër, si ekselencat që shitën e do të shesin troje atdheu, po për të cilët nuk e çel kush llaçkën, sepse janë rralluar ata që rrezikojnë t’u bëhet shpina më e butë se barku.

Sidoqoftë, Titani shpirtrebel, që nuk u përkul përpara kërbaçit të tjetrit, që nuk i duroi dogmat dhe nuk pranoi kurrë të bëhet pjesë e rapsodëve obortarë, nuk është më në mesin tonë për të prishur notën mesatare të të mirëve me të gjithë, të intelektualëve dhe krijuesve peshq-pa-gojë. Në vend të tij, prej sot do të flasin veprat (romanet, dramat, tregimet, poezitë…) me tituj sugjestivë: “Gjarpijtë e gjakut”, “Fërkime”, “Libër për Vet Mohimin”, “Nëna Shegë e pesë gocat”,  “Shkrumbnajë e dashur”, “ Dashuria  Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”…

Prandaj: prehu i qetë PROMETE!

Pusho në paqe I PARI i brezit tënd, që shkruajte dhe fole shtruar për Shqipërinë shtet evropian me kufijtë e saj të natyrshëm; Ti që nuk e fshehe kurrë aspiratën rilindëse për bashkim, dëshirën e shqiptarëve për të jetuar të lirë në tokat e tyre; Ti që e la të hapur mundësinë e revidimit të padrejtësive të bajlozëve të mëdhenj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; Ti që sendërtimin e ëndrrave liridashëse nuk e kërkove duke ndejtur qibarshëm këmbëkryq në kabinete akademishë e institutesh; Ti që sfidove kuçedrën dhe u përballe vetëdijshëm me pasojat e dhëmbëzorëve të armikut, që kërkon me shekuj shbërjen e qenies dhe shpirtit tonë.

Në rrugëtimin tënd prej liberatori, Ti nuk i akuzove kurrë ata që, për arsye të ndryshme, nuk të ndoqën pas, ata që nuk ishin në gjendje ta kuptojnë lirinë dhe jetën e dinjitetshme ashtu siç e kuptove Ti.

Ti ishe dhe do të mbetesh i dashuri i popullit tënd të përvuajtur, shkrimtari më i lexuar gjatë viteve të kaluara në kazamatet e rankoviqëve dhe mashave të tyre shqipfolëse. Ti ishe dhe do të mbetesh simbol i rrezistencës sonë kundrejt dhunës sllave. Ti ishe dhe do të mbetesh frymëzuesi i përpjekjeve për mbrojtjen e shpirtit të etnisë nga tjetri dhe nga hira jonë. Ti ishe dhe do të mbetesh sinonim i guximit  intelektual, që të bëri zë të veçantë krijuesi rebel, ndoshta më të veçantin në gjithë diktaturtën komuniste të Evropës juglindore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button