Dëmshpërblimi për “Sopotin”, avokati Paçuku: Ministria e Drejtësisë nuk është në komunikim me ne

“Aspak nuk shpresoj në përgjigje pozitive, por shpresoj që të na suprizojnë dhe të na japin përgjigje”, kështu deklarohet për Portalb.mk, avokati Vullnet Paçuku, i cili e ka dorëzuar kërkesën deri te Ministria e Drejtësisë për dëmshpërblim për 6 persona të dëmtuar në rastin “Sopoti”, shkruan Portalb.mk.

“Nuk ka asnjë lloj komunikimi me Ministrinë e Drejtësisë, fare nuk na kanë kërkuar për shembull që të na kërkojnë ndonjë dëshmi ose dokumentacion shtesë. Nuk shpresoj në përgjigje pozitive, por shpresoj që të na surprizojnë dhe të na japin përgjigje”, deklaroi Paçuku.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë thotë shërbimet e tyre janë në kontakt me palën që ka dorëzuar kërkesë, ndërkaq do të japin përgjigje brenda afatit kohor.

“Ashtu siç e dini, kanë dorëzuar kërkesë deri në Ministrinë e Drejtësisë. Pasi që bëhet fjalë për rast më serioz, shërbimet profesionale për momentin e shqyrtojnë kërkesën e palës mbrojtëse dhe në periudhën e ardhshme do të përgjigjem. Besoj që shërbimet në Ministri janë në kontakt me palën e dëmtuar, besoj se ata i kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme”, deklaroi për Portalb.mk, zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Vlladimir Dellov.

Ndryshe, pas tërheqjes së akuzës nga ana e Prokurorisë Speciale për shkak të mungesës së dëshmive, pala e dëmtuar ka dorëzuar kërkesë për dëmshpërblim më 21 maj të këtij viti. Avokati Paçuku, ka kërkuar dëmshpërblim me vlerë prej 2.5 milionë euro për 6 të dëmtuar, ndërkaq për 4 të tjerë të cilët kanë qenë jashtë vendit, do të dorëzojë gjatë javës së ardhshme.

Rasti “Sopoti” është nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi që një automjet terreni i NATO-s shkeli në minë në rrugën rajonale Sushevë – Sopot

Në këtë rast dhjetë persona janë dënuar për terrorizëm.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në korrik të vitit të kaluar ia ka dorëzuar lëndën Prokurorisë Speciale, pasi që në opinion u publikuan bisedime të funksionarëve qeveritarë të ndërlidhur me këtë rast. 

Nga materialet e përgjuara të publikuara në vitin 2015 nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ose të ashtuquajturat “bomba”, dëgjohet si ish-ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Më poshtë mund ta dëgjoni “bombën” për “Sopotin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button