fbpx

Andres Manuel Lopez zgjidhet presidenti i ri i Meksikës

Në Meksikë, 64 vjeçari i krahut të majtë Andres Manuel Lopez Obrador, i cili e filloi karrierën e tij në politikë dekada më parë, si mbrojtës i të drejtave të banorëve indigjenë, fitoi zgjedhjet presidenciale të vendit. Ai garoi me platformën e luftës kundër korrupsionit dhe uljes së varfërisë duke fituar mbështetjen e votuesve të irrituar nga partitë tradicionale si ajo e presidentin në largim Enrique Pena Nieto. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Isabela Cocoli sjell më shumë hollësi.

Lopez Obrador bëri thirrje të dielën për “marrëdhënie më të mira” me Shtetet e Bashkuara.

“Ne do të kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me qeverinë amerikane bazuar në miqësi dhe zhvillim, gjithmonë nisur nga respekti i ndërsjelltë dhe në mbrojtje të bashkatdhetarëve tanë, emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në atë vend”.

Duke folur për sfidat e brendshme të Meksikës, Lopez Obrador tha se çrrënjosja e korrupsionit dhe e mosndëshkimit do të jetë misioni kryesor i qeverisë së tij dhe ai nuk do të “zhgënjejë” popullin meksikan.

“Unë përsëris premtimin tim për të mos e tradhtuar besimin tuaj të cilin miliona meksikanët kanë vendosur tek unë. Unë do të qeveris me ndershmëri dhe drejtësi, nuk do të të dështoj, nuk do t’ju zhgënjej dhe nuk do ta tradhtoj popullin tim”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, përgëzoi zotin Obrador përmes Twitterit: “Urime për Andres Manuel Lopez Obrador që do të jetë presidenti i ardhshëm i Meksikës. Mezi pres të punoj me të. Ka shumë gjera që mund të bëjmë në të mirë të Shtetet e Bashkuara dhe Meksikës! “

Një sondazh nga organizata Parmetira kishte parashikuar se Lopez Obrador do të fitonte 53-59 për qind të votave, shumë më përpara dy rivalëve të tij kryesorë, transmeton VOA.

Sondazhet e kryera para votimit të së dielës e tregonin vazhdimisht Lopez Obradorin, i njohur gjerësisht si AMLO, me një kryesim prej dy shifrash.

Të dy kundërshtarët e Obradorit në zgjedhjet e së dielës – Jose Antonio Meade, i partisë PRI në pushtet dhe Ricardo Anaya i partisë PAN – i uruan atij sukses “për mirëqenien e Meksikës”.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që fitohen nga partia e zotit Obrador, Lëvizja Kombëtare e Ringjalljes (MORENA), e cila ka formuar një koalicion me Partinë Laburiste të krahut të majtë dhe Partinë Socialiste të së djathtës.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close