Radhë të gjata në Shqipëri, qytetarët në pritje për punësim në Gjermani
Kritikat e ministrave gjermanë për të përshpejtuar procedurën e vizave të punës në Shqipëri, duket se s’kanë rënë në veshin e Ambasadës Gjermane.
Pritja e shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët duan të largohen nga vendi i tyre drejt Gjermanisë për të shpëtuar nga papunësia, është e madhe, përtej nevojës së Gjermanisë për forcë punëtore.
Jonida tregon se kjo është hera e dytë që aplikon për vizë punë në Gjermani, herën e parë e provoi në Greqi që nuk ngjante me procedurën këtu. Pasi nuk i pëlqeu puna si kuzhiniere, u kthye në Tiranë dhe po e provon marrjen e vizës në vendlindjen e saj me një kontratë tjetër pune.
Fardita dhe Kleana kanë mbaruar studimet për infermieri, dhe për to e ardhmja merr kuptim në Gjermani. Kjo falë vlerësimit të shtetit gjerman për profesionin e tyre. “Përgatitja e personelit atje është shpesh më e mirë sesa mendojmë ne”, u shpreh ministri gjerman i shëndetësisë, Spahn.
“Kam ndjekur kursin, lash kontratën. Aplikova, lash takimin dhe tani pres përgjigje për vizë pune nga Gjermania si infermiere”, thotë Fardita Toçi.
Ndërsa Kristiani do të studiojë në Gjermani. Për 20-vjeçarin është hera e 10 që paraqitet në Ambasadë.
U mbushën 28 vite nga dy korriku i vitit 1990 kur mijëra shqiptarë u dyndën në këtë rrugë për të hyrë në ambasadat e vendeve perëndimore. Ata kërkonin gjithçka dhe iknin nga një diktaturë që ishte në ditët e saj të fundit. Në ambasadën gjermane u futën 3200 shqiptare dhe aty qëndruan për 12 deri sa regjimi komunist dha lejen që të largoheshin. Sot pas 28 vitesh nga e njëjta ambasadë po i shërben me mijëra shqiptarëve për të ikur në perëndim.