fbpx

Haradinaj u premton delegatëve të 2 Korrikut 1990 status të veçantë

“Është nder i madh bashkimi ynë sot, për të tashmen tonë si Kosovë, për rrugën tonë deri këtu dhe për atë që vjen. Ju jeni historia e gjallë, e vërteta e rrugëtimit tonë. Deklarata e 2 Korrikut, shpallja e vizionit tonë për mëvetësi të asaj kohe ka qenë akt i çmuar, akt themel, nga i cili ka pasuar konfirmimi me Kushtetutën e Kaçanikut dhe përpjekjet e vazhdueshme të rezistencës të mëtejme politike e paqësore, deri te ajo luftarake për të ardhur te 17 shkurti 2008”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit që zhvilloi me një grup të delegatëve që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se në kohë mjaft të vështira, delegatët e atëhershëm të Kuvendit treguan guximin dhe vendosmërinë e tyre për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, duke theksuar se delegatët e asaj kohe janë nderi i Kosovës, janë historia e gjallë.

“Në nder të 2 Korrikut, Deklaratës që i vuri bazë veprimeve të mëtejshme, Kushtetutës së Kaçanikut dhe vendimeve për të qenë Kosova e pavarur, pata nderin të pres delegatët e gjallë, historinë e gjallë të Kosovës dhe të bashkëbisedojë me ta për temat që na preokupojnë sot në vend”, tha kryeministri Haradinaj, në prononcimin para medieve.

Nga ana e tyre, delegatët e 2 Korrikut vlerësuan përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj për të qenë gjithmonë afër delegatëve të asaj kohe.

Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilaz Ramajli, falënderoi kryeministrin Haradinaj për kujdesin e treguar dhe ftesën për të shënuar 28 vjetorin e 2 Korrikut, datës kur është nxjerrë Deklarata Kushtetuese.

“Ju keni treguar kujdes të veçantë edhe në kohën kur nuk keni qenë kryeministër për këtë përbërje dhe kjo që ju sot na ftuat është një nder i veçantë për ne”, tha ish kryetari Ramajli.

Ai tha se në këtë takim kanë parashtruar disa çështje që janë me interes për delegatët, e që ka të bëjë me mbështetjen materiale të tyre.

“Kryeministri pati mirësinë që të na njoftoi për disa çështje kyçe të cilat janë në zhvillim e sipër në Republikën e Kosovës, çështje politike, por edhe ato që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Ramajli, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për statusin e delegatëve, duke thënë se ka një iniciativë ligjore në Kuvend dhe mund të procedohet në seancë si Ligj, i cili do të rregullonte statusin e deputetëve të vitit 1990, e që do ta ketë përkrahjen edhe të Qeverisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close