Shkup, Ombudsmani: Tmerruese situata në burgjet dhe spitalet psikiatrike të Maqedonisë

Zëvendës Avokatja e Popullit në Maqedoni, Vaska Bajramovska-Mustafa, sot shpalosi raportin vjetor mbi situatën e konstatuar nga Zyra e saj në stacionet e policisë, në burgjet dhe spitalet psikiatrike në vend, në kuadër të të ashtuquajturit “Mekanizëm Parandalues Nacional” (MPN), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat, Bajramovska-Mustafa tha se gjendjet e konstatuara dhe rekomandimet e dërguara në adresë të organeve kompetente janë rezultat i gjithsej 48 vizitave parandaluese gjatë vitit 2017 të realizuara nga nga ekipi i Mekanizmit parandalues nacional, me përkrahje nga ekspertë dhe institucione të profileve të ndryshme në tre burgje, 13 stacione policore, një spital psikiatrik dhe 30 vizita në Qendrat pranuese tranzitore.

Gjatë vizitave në burgjet në Shkup, Strumicë dhe Kumanovë, tha Bajramovska-Mustafa, është konstatuar se përveç kushteve të këqija ku janë vendosur të paraburgosurit, përkatësisht personat e dënuar, spikat mungesa e kuadrit profesional që ndikon në procesin e risocializimit dhe të drejtës për mbrojtje shëndetësore të të burgosurve.

“Kushtet e këqija të cilat i hasëm, pajisja joadekuate e hapësirave për vendosje, lagështia dhe ngrohja e pamjaftueshme dhe sistemi jofunksional për thirrje janë vetëm një pjesë e arsyeve përse MPN rekomandoi ndërmarrjen e masave urgjente për rinovimin e objekteve të Burgut-Shkup, sidomos pjesa e paraburgimit”, tha ajo.

Ajo thotë se gjatë bisedave me personat e paraburgosur në burgjet e lartpërmendura, kanë mësuar se janë ofenduar në bazë nacionale, sidomos romët, ka mungesë të sigurimit për gratë, ku si pasojë nuk kontrollohen femrat vizitore, ka mungesë të personelit mjekësor, për çka nuk ka shërbim 24 orësh, ndërsa disa tualete nuk kanë fare derë, për çka vendosen batanije.

Tek pjesa e stacioneve policore, Zyra e Avokatit të Popullit thotë se në nëntë stacione të vizituara, të cilat MPB i ka përcaktuar si qendra për paraburgim, nuk i plotësojnë standardet minimale.

“Në asnjërin nga stacionet e vizituara policore nuk ka hapësira të veçanta për marrje në pyetje të personave të privuar nga liria, persona të arrestuar dhe të mbajtur, ndërsa vetëm dy stacione kanë përshtatur hapësirë të veçantë për bisedë me persona të mitur, konform ligjit për të drejtat e fëmijëve”, tha në konstatimin e saj Bajramovska-Mustafa.

Në raportin e zyrës së Avokatit të Popullit, vend të veçantë zë edhe trajtimi i refugjatëve/migrantëve, për çka konstatimi është bërë nga 30 vizitat e vendeve ku janë vendosur ata.

Ndonëse numri i refugjatëve/migrantëve me të ciilët përballet vendi është dukshëm më i vogël nga viti 2016, tha Bajramovska-Mustafa, mbetet i pazgjidhur problemi me deportimet në grupe të cilat Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i zbatonte në vitin 2017, pa asnjë formalitet dhe respektim të procedurave ligjore.

“Duke vëzhguar procesin e riatdhesimit konstatuam se MPB gjatë kohës së vitit raportues realizoi riatdhesimin e 40 refugjatëve pa i informuar me kohë se janë në procet të kthimit të detyrueshëm, me ç‘rast të njëjtën e zbatonte edhe me personat për të cilët tashmë kishte procedurë për bashkim familjar”, tha ajo.

Ndryshe, raporti i plotë, pritet që së shpejti të publikohet në faqen e internetit të Avokatit të Popullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button