Osmani është takuar me Mogerinin: Orët në vijim – vendimtare për epilogun e negociatave

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Bruksel, është takuar me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënpresidente e Komisionit Evropian, Federika Mogerini.

Me këtë rast, Osmani e ka informuar atë me planin e ri të reformave, Planin 18, me të cilin Maqedonia mbetet e përkushtuar për procesin reformues edhe pas marrjes së rekomandimit dhe raportit pozitiv të Komisionit Evropian: “Plani 3-6-9 krijoi një bazë solide për implementimin e reformave thelbësore dhe afatgjata për përafrimin e shoqërisë sonë me atë evropiane, kurse Plani 18 është vazhdimësi e logjikshme e agjendës reformatore të Qeverisë për një bashkërendim dhe përcjellje në vazhdimësi të këtyre reformave deri në çeljen e negociatave”, theksoi Osmani.

Gjatë takimit Osmani informoi bashkëbiseduesen edhe për përparimin e arritur në marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, duke shprehur kënaqësinë  për përmirësimin e tyre, implementimin e masave të mirëbesimit, frenimin e përshkallëzimit të mospajtimeve politike, por edhe kënaqësinë me arritjet në bisedimet lidhur me çështjen e emrit:

“Kemi një përparim serioz dhe asnjëherë deri tani dy vendet nuk kanë qenë kaq afër zgjidhjes. Orët në vazhdim mund të jenë vendimtare për epilogun e negociatave dhe më mbanë shpresa se epilogu eventual pozitiv  do të krijojë një klimë të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe të kushteve për avancimin e perspektives euro-atlantike të Maqedonisë”, shtoi Osmani.

Në fund të takimit, zëvendëskryeministri Bujar Osmani shprehu shpresën se përparimi në implementimin e reformave, por edhe evitimin e barrierave politike, do të valorizohet në mënyrë përkatëse në samitet e këtij muaji të Bashkimit Evropian me çka do të vuloset e ardhmja evropiane e Maqedonisë, por edhe orientimi euro-atlantik I të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button