Muret dhe urat

Kur është në pyetje Islami dhe zhvillimet brënda trungut të tij, opinionistët, dmth. ata që krijojnë opinion dhe , rrjedhimisht, ndikojnë në bindjet dhe përcaktimet e njerëzve lidhur me një çështje a një problem duke ua orientuar qëndrimet, mjerisht edhe më tej po e bëjnë këtë gjë në mënyrë shumë sipërfaqësore. Duke mos depërtuar në esencën e akëcilës çështje madhore dhe shpeshë duke mos pasur informacion të plotë për lëminë që po e rrahin, ata, në fakt, në të shumtën e rasteve po e “analizojnë” atë që është bërë sikur trend në mediat botërore dhe ato të vendit.Pra,ata po vajtojnë me lotë krokodili për “prapambeturinë që po e imponon islami me vlerat e veta të prapambetura kulturore e fetare…”

Kuptohet, ky lloj “analizash” që kursesi nuk po përcjellen me debate serioze shkencore e ndërfetare,duke e demonizuar fenë, traditat dhe kulturën islame, detyrimisht po ndikojnë në përhapjen e bindjeve se” Islami, me që është i prapambetur dhe jotolerant, po gjeneron radikalizëm dhe terorizëm…”.

Nuk e kam për qëllim me këtë rast  të dëshmoj se Islami në asnjë segment të vetin nuk është në korelacion me radikalizmin dhe terorizmin sepse këtë gjë e dëshmojnë në mënyrën më të mirë Kur’ani Famëlartë dhe historiku prej pesëmbëdhjetë shekujsh të cilin muslimanët anembanë botës e kanë përmbushur me tolerancë dhe mirëkuptim. Sëkëndejmi,tezat që po plasohen nga autorë të ndryshëm  se “Islami është fe që s’kërkon dituri e mençuri dhe nuk e dëshmon vehten me argumente por vetëm me dhunë”, paraqesin më shumë se dashakeqësi,ato janë blasfemike, janë mohim i Zotit.

Sinqerisht thënë, është bërë nga pakë e lodhshme përpjekja jonë për t’ua  treguar të vërtetën atyre që s’dëshirojnë të dëgjojnë dhe në atë mënyrë po ngritin muret e heshtjes dhe ndarjes mes dy kulturave, dy civilizimeve,dy feve. Por, për fat të mirë, jo gjithmonë dhe jo çdokush mendon sikur përhapësit e mjegullnajave dhe ndasive.

Dhe, pikërisht të atillë njerëz pata rastin dhe kënaqësinë të takoj para disa ditësh në Tiranë, gjatë darkës të cilën Presidenti Shqiptar, Ilir Meta, shtroi për hirë të Arqipeshkvit Metropolitan të Firencës,Kardinalit Giusseppe Betori. Aty takova deputetë e ambasadorë, krerë të bashkësive të ndryshme fetare, intelektualë të shquar. Ishte vërtetë shpresëdhënëse atmosfera e asaj mbrëmjeje në të cilën nga jomuslimanë mund të dëgjoje shprehjet e respektit më të lartë për fenë Islame, kulturën dhe traditat e tijë. Muret ndajnë dhe urat bashkojnë, ishte bindja që mbizotëronte në atë takim.

Gjatë asaj darke, disi padiktueshëm, vetvetiu, po dilte në sipërfaqe harmonia dhe toleranca ndërfetare e shqiptarëve të cilët po bëhen udhërrëfyes dhe model i shkëlqyeshëm se fetë e ndryshme duhet dhe munden të bashkëjetojnë duke e respektuar njëria tjetrën dhe duke iu përmbajtur Paqes së Zotit.Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” që me këtë rast iu nda Kardinalit shqiptar Ernest Simoni Troshani ishte edhe një dëshmi e fuqishme e respektit që ndjejnë populli dhe shteti shqiptar ndaj figurave fetare dhe ndaj rolit që ka feja në jetën tonë të përditshme.

Mjerisht, në po të njejtën ditë kur në Pallatin e Brigadave po jepej një shembull i shkëlqyeshëm se si duhet të ndërtohen marëdhëniet e shtetit me bashkësitë fetare, lexova raportin vjetor të Deparetamentit amerikan të Shtetit për liritë fetare në Maqedoni në të cilin thuhej se dallimet fetare vazhdojnë të figurojnë në proceset penale dhe gjyqësore. Aty përmendej edhe xhamia e Llazhecit, ajo e Kriva Pallankës, si dhe pengesat për rikonstruimin e xhamisë së Prilepit.

Sidoqoftë, nuk do bëj asnjë krahasim mes Shqipërisë dhe Maqedonisë sa ju përket të drejtave dhe lirive fetare sepse të dyja këto shtete i kam për zemër dhe dëshiroj që t’i shoh në rrugë të mbarë.Por, do e them vetëm një fjalë të urtë: “ Sa herë që ia kthejmë shpinën Zotit, Ai gjenë mënyrën e përkryer për të n’a dalë përpara”

Pra, të gjithë bashkë të kapim ditën e të kënaqemi me atë, por gjithmonë  duke qenë të vetëdijshëm se jemi të vdekshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button