Maqedonia s’ka nevojë për eufori, BE-ja të përshpejtojë procesin e anëtarësimit

Të zbatohen reformat, Maqedonia s’ka nevojë për eufori, KE-ja duhet të ketë linja të kuqe dhe të qarta, shoqëria civile duhet ta monitorojë procesin e anëtarësimit dhe BE-ja duhet të përshpejtojë me negociatat dhe duhet ta demokratizojë edhe më shumë veten, këto ishin përfundimet e panel diskutimit “Anëtarësimi në BE nëpërmjet sundimit të së drejtës”, në konferencën rajonale “Pse Evropa, pse tani?”, të organizuar me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Fondacionit Shoqëri e Hapur në Maqedoni (FSHHM), njofton Portalb.mk.

“Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm në interes të shteteve që pretendojnë anëtarësimin, por është edhe interes strategjik i BE-së. BE-ja ka potencial të madh për promovimin e sundimit të ligjit dhe ajo këtë e bën nëpërmjet zgjerimit. Megjithatë, mendoj se BE-ja nuk ka bërë mjaftueshëm që ta promovojë sundimin e ligjit. E kemi rastin me refugjatët të cilëve u janë shkelur të drejtat e njeriut, rast tjetër është edhe qeveria hungareze. BE-ja duhet që të ndalojë të tregtojë me sundimin e ligjit. Në bisedimet për anëtarësim në BE, duhet që të shtohet kërkesa për reforma në polici. BE-ja duhet që të merrem me mungesën e demokracisë brenda saj, pra të sanksionohen shtetet që nuk i respektojnë të drejtat. Elitat politike ose nuk duan t’i zbatojnë reformat ose nuk duan të hyjnë në BE. Megjithatë mendoj se BE-ja nuk ka standarde të dyfishta për asnjë vend, por ajo e shfrytëzon kontekstin në bisedime”, tha panelisti, Bodo Veber, bashkëpunëtor i lartë politik nga Qendra për Politika dhe për Demokratizim – Berlin.

Kryetari i Qendrës për Strategji Evropiane Maqedoni – Eurothink, Andrea Stojkovski, gjatë fjalimit të tij tha se Maqedonia nuk ka nevojë për eufori, pas marrjes së rekomandimit, por të fillojë me punë.

“Ky është vit që duhet të tregojnë se ndryshimet kanë ardhur. Nuk duhet që të harrojnë se në vitet e kaluara në vazhdimësi eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, dhe në dy vitet e kaluara përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini, e kanë vizituar Maqedoninë dhe kanë kontribuuar që Maqedonia ta fitojë rekomandimin. Megjithatë nuk ka kohë për eufori, duhet që t’i përveshim mëngët dhe të punojmë. Dëshira e popullatës për anëtarësim në BE vazhdimisht po rritet dhe këtë e tregojnë anketat. Maqedonia e ëndërroi momentin që duhet ta shfrytëzojë KE-ja për Maqedoninë”, tha Stojkovski duke e porositur shoqërinë civile që të ngelet jashtë qeverive dhe të njëjtat t’i kritikojë, ndërkaq në procesin e bisedimeve për anëtarësim, e njëjta të kyçet.

Vlladimir Mexha nga Lëvizja Evropiane e Serbisë vlerëson se BE-ja duhet që të përshpejtojë me bisedimet, reformat duhet të zbatohen, ndërkaq qeveritë të mos e përdorin këtë proces për të qëndruar në pushtet.

“Nëse e lëshojmë këtë mundësi për anëtarësim në BE, të gjithë vendet e Ballkanit Perendimor do të kenë edhe një gjeneratë tjetër të politikanëve që do ta lëshojnë mundësinë për anëtarësim. Nëse jemi më të fuqishëm mund të merremi vesh me BE-në. Pra fillimisht, duhet të promovohen reformat për hyrje në BE. Mbi 60% e popullatës në Serbi i dëshiron reformat në BE, edhe nëse nuk anëtarësohet vendi. Ata këtë e duan për shkak të sundimit të ligjit. Procesi i anëtarësimit duhet që të përshpejtohet pasi që i njëjti tanimë është mbi 20 vjet. Patjetër duhet ta kemi parasysh se ky proces nuk duhet që të përdoret nga qeveritë për të mbetur në pushtet. Duhet të fokusohemi në bisedimet dhe jo në procesin e anëtarësimit. Duke u dhënë detyra që nuk mbarojnë BE-ja po i largon vendet që duan të anëtarësohen, pra në fillim kur e bëjmë një punë të thonë se është mirë, ndërkaq në fund thonë se nuk e keni bërë mirë”, tha Mexha.

Adnan Çerimatiç, analist nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet – Bosnje, vlerëson se Komisioni Evropian duhet t’i ketë synimet e qarta dhe duhet të ketë linja të kuqe, ndërkaq për BE-në vlerëson se ka standarde të dyfishta në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendeve.

“Ne kemi qenë në Hungari dhe e kemi parë se çfarë po ndodh atje me sundimin e ligjit dhe gjyqësorin. Duhet të ketë linja të kuqe për ardhmërinë e sundimit të ligjit. KE-ja duhet të ketë linja të kuqe, pra duhet t’i ketë synimet e qarta, pra në raport t’i theksojë synimet konkrete se çfarë kërkon. Shtetet duhet të kenë strukturë të sistematizuar që do t’u rezistojnë të gjitha qeverive në të ardhmen. Nga ana tjetër, në Bosnje mbi 80% e popullatës duan që të anëtarësohen në BE, megjithatë nëse i pyet popullatën janë të zhgënjyer, ndërkaq edhe mua nëse më pyet jam i habitur me qasjen e BE-së ndaj Bosnjës. Bosnja nuk dallon me asnjë prej 4 vendeve të rajonit të cilat kanë marrë rekomandim për hapjen e bisedimeve. Kualiteti i jetesës është po i njëjti, pra edhe në Serbi edhe në Mal të Zi, ka korrupsion, mungesë të sundimit të ligjit apo shërbime të dobëta shëndetësore”, tha Çerimatiç.

Ndryshe, shënimi i 25 vjetorit të FSHHM-së ka filluar të enjten (3 maj), me promovimin e filmit dokumentar për Fondacionin dhe me një ekspozitë multimediale me të cilat është prezantuar puna dhe arritjet e tij gjatë periudhës së kaluar. Gjatë muajit maj do të organizohen disa konferenca, në të cilat pjesëmarrësit nga Maqedonia dhe jashtë vendit do të diskutojnë për tema të rëndësishme si hyrja e Maqedonisë në BE, forcimi ligjor, shëndeti i romëve, liria dhe interneti, të rinjtë dhe shoqëria e hapur, reformat arsimore, fuqia e artit dhe e kulturës për ndryshime shoqërore, si dhe e ardhmja dhe perspektivat e shoqërisë së hapur në Maqedoni.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve janë organizuar në bashkëpunim me organizata të tjera qytetare, të cilat njëkohësisht janë edhe partnerë afatgjatë të FSHHM-së, i Eurothink, Koalicioni Margjinat, Fondacioni Metamorfozis dhe Forumi Arsimor Rinor. Pjesë e kremtimit të jubileut do të jetë edhe ekspozita për aktivizëm kreativ, e organizuar në bashkëpunim me Qendrën për arte bashkëkohore.

Më poshtë mund ta shihni programin:

Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni shënon 25 vjet përkushtim për ndërtimin e shoqërisë së hapur në Maqedoni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button