VIKTIMË ZUZARËSH

Ata që punonin kundër interesit të kombit të tyre, ata që vetëdijshëm u shërbenin armiqve të dëshmuar me krime monstruoze ndaj qenies sonë, ata që thëthinin djersën dhe gjakun e popullit, për të siguruar jetë parazitare në kurriz të tij…, Faik Konica i quante zuzarë, hafije, meemurë, zaptiejë, koqe me qelb…

Te ky soj gomerësh Gjergj Fishta pa sallahanin, vagabondin, shakllabanin, batakçiun, rriqnat e ndyet, mikrobët e kqi…, që i qenë futur Shqipnisë kthellë në gji, pa dhimtë gjakun tuj ia pi…

Ali Asllani, ndërkaq, që shquhej për vargjet humoristike, gjithashtu nuk mundi të rrijë pa e qerasur me dushe akujsh kabilen e zuzarëve shqipfolës, me Hakërrimën e tij të papërsëritshme të stilit fishtian, pa sfiduar çakejtë, dredharakët zemërnxirë, maskarenjtë, e pabrekë të graflluar sa ora në milionerë, shushunjat dhe gjahtarët e errësirave, rob’t e metelikut, dinakët që puthin këmbët e armikut dhe heqin nderin zvarr’, gjynahët që, për interese meskine, i thonë armikut peqe dhe shkojnë e lidhen vullnetarisht në kujnin e tij, pa u vajtur mendja se vin dita e grushti bie përmbi krye të zuzarëve, sepse vetëm koha mund të jetë e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve! 
Të kësillojta janë gjithë mallkimet rilindase drejtuar zuzarëve të pasuruar me hajni dhe në kurriz të popullit gjithandej ku jeton gjindja jonë, zuzarëve që bëjnë sikur nuk e kuptojnë se janë shkaku i ekzodit të paparë të rinisë shqiptare, po dhe të zuzarëve që, si levantinët konicianë, i kanë zët tiparet e racës që Zoti e bëri kësmet për ne, ndaj i luftojnë ato me sistem, nëpërmjet poshtërrimit të vlerave të së shkuarës dhe çdogjëje të bukur të së tashmes, nëse na ka mbetur akoma ndonjëfarë vlere.

Këta të fundit janë shpirtrobër dhe masha për një përdorim. Të tillët zakonisht blihen me një ligjeratë të mbajtur salephaneve nga mjeshtër të dresuar agjenturash, për të cilët kam shkruar, qysh para 28 vitesh, atëherë kur shumëkushi temat e rrezikshme për qenësinë tonë i konsideronte të tepërta, mbase dhe të shpifura… Ishte kjo koha kur, posa u shemb sistemi satrap komunist, nisi propaganda kundër shkollës dhe arsimtarëve shqiptarë – prometejëve që mbajtën gjallë shpirtin tonë të rrezikuar çakenjshë të brendshëm dhe të jashtëm. Çuditërisht, kjo propagandë “koincidoi” me rihapjen e shkollave të mesme shqipe, pas vitit 1991, kur u erdhi fundi paraleleve të përziera të viteve të 80-ta, kur për një nxënës maqedonas, të futur me qëllim mes 30 nxënësish shqiptarë, mesimi duhej zhvilluar në gjuhën biblike maqedonase. “Koincidenca” erdhi në shprehje edhe ndërmjet qëndrimit rigjid të monizmit jugosllav ndaj fgurave të shquara të së kaluarës së etnisë sonë fatkeqe, që u trashëgua si punë stafete edhe në periudhën e tranzicionit për (kush e di se ku?), nga zuzarët shqipfolës të Faik Konicës, nga shakllabanët e Fishtës dhe maskarenjtë e Ali Asllanit. Mjerisht, në vend se të mbyllen plagët e vjetra, zuzarët e sotëm kanë hapësira të mjaftueshme të ngulin thikat edhe më thellë, edhe më dhimbshëm në substancën etnike. Ata tani janë fokusuar  në zëvendësimin e heshtur të shkollave shqipe dhe të arsimtarëve “të këqinj” shqiptarë, me shkolla dhe arsimtarë “të zgjedhur” racash të tjera, të vetëdijshëm se: nëse do të kalbësh e të shfytyrosh një shoqëri, nise nga përulja e mësuesit dhe shkollës në gjuhën e nënës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button