fbpx

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e shënoi 90 – vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur Murat Isaku

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, dje e shënoi 90 – vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar të letërsisë shqiptare, Murat Isaku. Ky aktivitet u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe në të morën pjesë profesorë të UT-së, drejtues të institucioneve kulturore –artistike nga qyteti i Tetovës dhe jo vetëm, dashamirë të artit dhe kulturës, nxënës, studentë dhe personalitete të njohura nga jeta publike në vend.

Në këtë ngjarje kulturore u tha se kudo në botën e qytetëruar, shenja e parë e modernitetit është vetëdija për krijimin individual, qoftë ajo e artikuluar në vepra letrare apo në vepra kritike. Në fillim të shekullit të kaluar, këtë vetëdije e artikuluan poetët dhe shkrimtarët e njohur të letërsisë shqipe dhe në mesin e tyre edhe Murat Isaku, nismëtari i letërsisë bashkëkohore në vendin tonë.

Shënimin e përvjetorit të Murat Isakut e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili deklaroi se përmes veprës, Murat Isaku ka dhënë shembullin – modelin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejtë në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.

“Siç ndodh me çdo krijues të realizuar, shkrimtar të suksesshëm, edhe Murat Isaku, përtej rolit jetësor, ndikimin më efektiv dhe më afatgjatë, e realizoi me anën të artikulimit të ideve në veprën letrare. Ishte i vetëdijshëm se të jesh shkrimtar shqiptar, domethënë, njëkohësisht të punoje se ç’të reja mund të ofroje në letërsinë e vendit, si dhe të dije të vlerësoje potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në një situatë të caktuar, ku gjithçka mund të kthehej në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e krijuesit dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme. Ai shkroi për dashurinë që ruan baraspeshën brenda qenies njerëzore, për qëndresën që nëpërmjet letërsisë të ruhet identiteti kombëtar, kulturor e gjuhësor, e trajtoi temën e burgut, ku të burgosurit politikë shqiptarë dënoheshin pa pikë faji dhe një vend të rëndësishëm në opusin e tij krijues ia kushtoi tokës, vendlindjes dhe familjes”, tha në fjalën e tij, Selam Sulejmani.

Referatin për jetën dhe veprën e shkrimtarit e paraqiti profesori i letërsisë shqiptare, Salajdin Salihu, i cili theksoi se nëpërmjet gjuhës, fjalës, Murat Isaku krijoi një kështjellë monumentale artistike, të ëndërrt e flatërore, duke përdorur shajni e makthe, hije e delire, dhembje dhe zhgënjime, tragjikë e groteskë.

“Të flasësh, pra, për një poet është sikur të luash rolin e Hermesit, këtij deshifruesi të kodeve hyjnore nëpërmjet gjuhës njerëzore. Është sikurse të tentosh me gjuhën e zakonshme të flasësh për librin e depozituar në qiell. Unë po flas për poezinë e Murat Isakut nëpërmjet gjuhës së ftohtë të shkencës. Kur flasim me këtë gjuhë përherë i hyjmë në hak veprës letrare. Nëpërmjet gjuhës së ftohtë të shkencës, nëse i referohemi Hajdegerit, nuk mund të arrijmë deri tek qenia. Atje na çon gjuha simbolike. Gjuha e zakonshme është e pamjaftueshme teksa flet për poetin, të cilit do t’i shkonte thënia e një personazhi të Shekspirit: “Unë jam ai që nuk jam”. Prandaj besoj fuqimisht se duhet lexuar sa më shumë krijimtaria letrare e Murat Isakut. Duhet lexuar e shijuar, duhet shijuar dhe afirmuar, sepse Murat Isaku është botë e veçantë dhe gjithmonë është gjetkë… Ai është më shumë se Ai. Murat Isaku krijoi një vepër të thellë e shumëdimensionale, të hapur, që i flet, para së gjithash, qenies sonë”, u shpreh, Salajdin Salihu.

Në vijim të referatit të tij, ai po ashtu nënvizoi se Murat Isaku iu shfaq botës letrare shqipe në gjysmën e parë të viteve 50-të të shekullit të XX, si njëri nga nismëtarët e letërsisë së mirëfilltë bashkëkohore shqipe.

E filloi krijimtarinë letrare si poet dhe e përmbylli opusin e tij po si poet, me librin poetik “Mi këpusin kokrrat e frymës”, që u botua postmortem.

Shënimin e 90 –vjetorit të lindjes së poetit Murat Isaku, me pjesëmarrjen e saj e nderoi edhe shkrimtarja Puntorie Muça Ziba, e cila e vlerësoi lart veprën letrare të tij.

Se si erdhi deri te ideja për botimin e vëllimit poetik “Jeta e Ketrit” dhe detaje të tjera për poezitë e përzgjedhura të botuara e të pabotuara deri sot, para pjesëmarrësve Luljeta Isaku, mes tjerash, në fjalën e saj rrëfeu një kujtim nga shkrimtari Murat Isaku. “Do ta them një kujtim të cilin e kam pasur bashkë me babanë, ka qenë hera e fundit që kemi ecur drejt rrugës së Gajres dhe rrugën na e zuri një ketër, i cili nuk dinte, djathtas apo majtas ta marrë rrugën e tij të caktuar. Babai e shikoi, u kthye nga unë dhe tha: shumë njerëz e bëjnë jetën e ketrit dhe kjo fjali më mbeti si motiv i pashtjelluar më vonë ç’deshi ai të thotë.

Pjesë e programit të shënimit të përvjetorit ishte edhe ora letrare me vargjet e poezisë së Murat Isakut, e cila u realizua nga profesoresha Vjollcë Berisha, Puntorie Muça Ziba-shkrimtare, Jona Neziri, Erblina Islami dhe Kaltrina Sadiki, pikët artistike – muzikore i sollën në skenë, Teuta Emini në flautë dhe Jozef Menga në piano. Murat Isaku ishte poet, romansier, publicist, e studiues, një nga personalitetet më të shquara të artit dhe kulturës sonë, njohës i letërsisë botërore, i letërsisë së traditës, i folklorit shqiptar të trevës së Malësisë së Sharrit, rajonit të Pollogut dhe folklorit të pasur arbëresh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button