Në UEJL nuk do të ketë më fakultet të administratës publike

Nga viti i ardhshëm akademik 2018/2019, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë do të del me një ofertë të re akademike – atë të shkencave shoqërore. Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore (FSHSHB), i cili do të zëvendësojë Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike (FAPSHP) që me gjasë do të pushojë së vepruari, apo e thënë ndryshe – nuk do të regjistrojë më studentë në drejtimet për të cilat ishte themeluar në vitin 2001, shkruan gazeta KOHA.

Në konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin 2018/2019, në vend të FAPSHP qëndron FSHSHB ku janë planifikuar të regjistrohen numri më i madh i studentëve, 390 gjithsej të shpërndarë në grupet e studimeve në gjuhën shqipe (240), maqedonase (130) dhe angleze (20).

E parë nga numri i vendeve të rezervuara, FSHSHB-ja është në pozita të njëjta me ato që kishte ish-FAPSHP-ja. Deri vitin akademik 2017/2018, ai fakultet përbente njësinë më të madhe akademike në kuadër të UEJL-së dhe të njëjtën pritet të bëjë tani FSHSHB-ja.

Ndryshimi qëndron në gërshetimin e fakultetit “të ri” me fakultetin “e vjetër”, konkretisht në dhënien e programeve të reja të cilat i ofron FSHSHB pa hequr dorë nga disa prej programeve të FAPSH-së. Në kuadrin e programeve të reja ofrohen drejtimet: Menaxhment i Organizatave Joqeveritare, Punë dhe Politikë Sociale, si dhe Sociologjia, ndërsa do të vijojnë me ofertën edhe drejtimet: Menaxhment Publik dhe Politika Publike, Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Studimet e administratës publike, që me gjasë do ti kalojnë historisë, u themeluan bashkë me themelimin e UEJL-së, si fakultet i parë dhe i vetëm i këtij lloji në Maqedoni. Qëllimi ishte përgatitja e kuadrove me shkathtësi për nevojat e administratës në institucionet publike dhe private me atë që gjatë studimeve të fitohen njohuri nga sfera e menaxhimit publik, drejtësisë, ekonomisë, komunikimi, e kështu me radhë.

Nga vitin 2018/2019, UEJL ka bërë rishqyrtimin e programeve në përputhje me nevojat e tregut duke ofruar studime në sferën e menaxhimit të organizatave joqeveritare, sociologjisë dhe shkencave sociale. FSHSHB është promovuar si risia e ofertës akademike të UEJL-së nga rektori prof. dr. Zamir Dika në aktivitetin “Ditët e Hapura në UEJL”. Ai, ka thënë gjithashtu se për vitin 2018/2019 planifikojnë të regjistrojnë rreth 800 studentë në nivelin e studimeve deridiplomike dhe 400 në studimet e magjistraturës.

Në konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj, në pese fakultete e UIEJL-së janë planifikuar 1.095 vende, prej të cilave 735 në gjuhën shqipe, 240 në gjuhën maqedonase dhe 120 në gjuhën angleze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button