fbpx

“Në Shqipëri është me rëndësi njohja e një progresi konstant”

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Romana Vlahutin, duke folur për raportin e progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, tha se Shqipëria mund të ketë arsye të mira për të qenë e gëzuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Evropian (KE) ka vendosur të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, për Shqipërinë, duke u bazuar në rezultatet e progres raportit, ku përfshihen vlerësimet për procesin e reformave në këtë vend.

“Ajo që për ne në Shqipëri është me rëndësi është njohja e një progresi konstant në të gjitha përparësitë kryesore, por edhe një vlerësim i drejtë i punës që ende duhet të bëhet me qëllim që Shqipëria të jetë tërësisht me standardet e Bashkimit Evropian. Ky është një proces historik ndryshimi dhe modernizimi dhe kërkon përkushtim dhe durim. Shqiptarët meritojnë që t’u njihen të gjitha përpjekjet. Në ditët në vijim do të kemi shansin që të shikojmë në hollësi të gjitha elementet e raportit për Shqipërinë”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE së në Tiranë, i dorëzoi presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama, raportin e progresit për Shqipërinë nga KE.

Presidenti Meta, thuhet në njoftim Presidenca e Shqipërisë, mirëpriti rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke e cilësuar një akt inkurajues, të shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit.

“Duke e konsideruar raportin e progresit për Shqipërinë në harmoni të plotë me strategjinë e zgjerimit që synonte një perspektivë të besueshme dhe angazhim të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka miratimi i kësaj qasjeje dhe rekomandimit të Komisionit nga Këshilli Evropian i qershorit, për të nisur etapën e re të procesit të negociatave të anëtarësimit”, thuhet në njoftim.

Për rekomandimin për hapjen e negociatave ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një deklaratë për mediat tha se stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në BE.

“Në vitin e parë të mandatit tonë të parë, ne e bëmë Shqipërinë vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vitin e parë të këtij mandati të dytë, ne sapo bëmë realitet marrjen e rekomandimit të pastër, të qartë, të drejtpërdrejtë, për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button