fbpx

Fondacioni Maarif i Turqisë nis aktivitetet në Maqedoni

Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) ka nisur aktivitetet në Maqedoni duke blerë shkollën private Woodrow Wilson School në qytetin e Tetovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Anëtari i bordit drejtues të TMV-së, Mustafa Çaltılı, tha para gazetarëve se fondacioni ka fituar statusin e personit juridik në gjashtë vende të Ballkanit.

Çaltılı u shpreh se në vitin shkollor 2018-2019 do të nisin procesin arsimor në pesë shtete të Ballkanit, ndërsa ai veçmë ka filluar në qytetin e Prishtinës dhe Prizrenit në vitin shkollor 2017-2018.

Ai tha se liçensa për zhvillimin e procesit arsimor është fituar me shpallje në gazetën zyrtare të Maqedonisë pas lejes së aprovuar nga këshilli i ministrave.

“Procesin arsimor do ta fillojmë së pari në qytetin e Tetovës në Maqedoni. Fondacioni po përjeton edhe një nga ditët e lumtura. Me lejen e Zotit, do të nisim një proces edukativo-arsimor në një shkollë shumë të bukur në Tetovë”, u shpreh Çaltılı.

Ai tha se me shkollën Woodrow Wilson School do të ofrohen shërbime për nxënësit në një hapësirë të mbyllur me sipërfaqe prej rreth 12.500 metra katrorë.

Duke folur për kapacitetin e shkollës, Çaltılı tha: “Bëhët fjalë për një shkollë shumë të mirë me 44 klasa, kabinete të biologjisë, fizikës, shkencave, kimisë, informatikës dhe bibiliotekën. Shkolla posedon edhe një bujtinë për 140 persona. Po ashtu, në shkollë gjendet edhe teatri dhe salla e konferencave. Kemi një sallë sportive të mbyllur shumë të mrekullueshme. Aktualisht kemi mbi 200 nxënës. Ne kemi filluar aktivitetet për arritjen e kapacitetit të plotë të shkollës, e cila ka kapacitet për një mijë nxënës. Në maj do të realizojmë provimin për bursa. Me një fushatë të mirë në Tetovë, do të nisim arsimin me çmime të përshtatshme”.

Në shkollë do të zhvillohet procesi arsimor që nga niveli parashkollor e deri në atë të mesëm, tha Çaltılı, i cili tha se mësimi deri në klasë të gjashtë do të zhvillohet në gjuhën shqipe, nga klasa e gjashtë deri në të 12-tën në gjuhën angleze, kurse krahas kësaj do të ofrohet arsim edhe në gjuhën turke.

Çaltılı theksoi se qëllimi i fondacionit është edukimi i njerëzve cilësorë si në vendet mike dhe vëllazërore të Ballkanit, ashtu edhe në botë.

“Ne duam të nxjerrim nxënës të cilët i shërbejnë vendit të tyre dhe punojnë për të”, tha Çaltılı.

Ai rikujtoi se brenda një kohe të shkurtër prej 18 muajsh kanë nisur aktivitetet në 21 shtete me 105 shkolla, ndërsa Maqedonia do të jetë vendi i 22-të ku fondacioni do të ushtrojë veprimtari edukativo-arsimore.

Çaltılı shtoi se shkolla do të vazhdojë procesin arsimor si International Maarif Schools dhe se planifikojnë që krahas Tetovës, të hapin me shpejtësi shkolla edhe në qytete të tjera të Maqedonisë.

“Çdo investim në arsim do të kthehet si burim cilësor”

Ndërkohë, koordinatori i TMV-së për Ballkanin, Salih Sağır, rikujtoi se fondacioni ka nisur aktivitetet në Ballkan në vitin 2017, duke përmendur hapjen e dy shkollave në Kosovë vitin e kaluar.

Sağır tha se nga shtatori i vitit 2018 do të realizojnë një arsim cilësor që kërkohet mes dy vendeve, duke shtuar se me shkollën në Maqedoni kanë treguar se kanë fituar një vrull në aktivitetet e tyre.

“Shpresoj që këtë hap që e nisëm në Tetovë ta vazhdojmë në Shkup, Gostivar dhe qytetet e tjera. Ky vend është tregues i investimit tonë për arsimin dhe njerëzit”, vlerësoi Sağır.

Me cilësi të njejtë, fondacioni do të vazhdojë aktivitetet edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe Rumani, deklaroi Sağır, duke theksuar se çdo investim në arsim do të kthehet si një burim cilësor njerëzor për shtetet në të ardhmen.

Ai tha se fondacioni do të vazhdojnë veprimtarinë pa prishur strategjitë edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë në faktin se aktivitetet e tyre janë pranuar në nivel të autoriteteve zyrtare.

Në fund, Sağır uroi që shkolla të jetë në të mirë të Maqedonisë dhe Turqisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close