Regjimi i Asadit përdori 215 herë armë kimike në Siri

Regjimi i Bashar al Asadit i cili pretendon se ka neutralizuar stoqet e armëve kimike në Siri, po vazhdon përdorimin e këtyre armëve. Që nga fillimi i luftës së brendshme, forcat e regjimit kanë përdorur 215 herë armë kimike, shkruan Anadolu Agency (AA).

Regjimi i Asadit në Siri përkundër asaj që me marrëveshjen SHBA-Rusi ka dhënë garanci për neutralizimin e stoqeve, vazhdoi sulmet me armë kimike. Forcat e regjimit përdorin sulmet me armë kimike për t’i detyruar civilët të emigrojnë nga rajonet në kontrollin e opozitarëve.

Me sulmin e kryer me armë kimike në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme ndaj qarkut Duma të Gutës Lindore, regjimi sirian tregoi edhe një herë se nuk ka hequr dorë nga këto armë.

Marrja në objektiv e qarkut Duma me armë kimike nga forcat e regjimit sirian, rajon që gjendet nën kontrollin e opozitarëve, rikujton sulmet me armë kimike ndaj Gutës Lindore në vitin 2013 dhe atë në Han Shejhun në vitin 2017.

Forcat e regjimit në muajt e fundit të vitit 2016 përdorën armët kimike për t’i larguar civilët në lagjet lindore të qendrës së qytetit Halep.

– Masakra e 21 gushtit të vitit 2013 në Gutën Lindore

Regjimi i Asadit më 21 gusht të vitit 2013 përdori armë kimike ndaj rajonit Guta Lindore të Damaskut. Si pasojë e këtij sulmi më shumë se 1.400 civilë humbën jetën ndërsa një numër i madh i civilëve, shumica gra dhe fëmijë ishin prekur në mënyrë intensive.

Pas kësaj në pajtim me “vijën e kuqe” të shpallur më parë, pritej ndërhyrja e SHBA-ve në Siri. Por, Rusia propozoi që regjimi t’i neutralizojë të gjithë stoqet e armëve kimike duke e penguar këtë ndërhyrje. Palët më 15 shtator të vitit 2013 arritën marrëveshje ndërsa procesi i neutralizimit filloi me angazhimin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW). Organizata pati njoftuar se procesi ka përfunduar më 19 gusht të vitit 2014.

Sulmet e vazhdueshme të regjimit me gazin klorin tregojnë se nuk janë neutralizuar të gjitha stoqet e armëve kimike dhe se një pjesë e tyre është fshehur me sukses.

– 4 prill 2017, sulmi në Han Shejhun

Në sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit më 4 prill të vitit 2017 ndaj rajonit Han Shejhun pranë Idlibit humbën jetën të paktën 100 civilë.

Pjesa më e madhe e banorëve të Han Shejhunit ishin në gjumë në kohën e sulmit, pasi ai ndodhi rreth orës 6:00 sipas kohës lokale.

Punonjësit e Observatorit të opozitarëve raportuan për sulm nga avionë të ngritur nga baza ajrore Shajrat e regjimit sirian, duke e menduar atë si një nga sulmet e zakonshme. Mirëpo, shpërthimi i zjarrit nga bomba që ra në qendër të qytezës, shenjat e gjakut dhe plagëve tek personat e prekur zbuloi shpejtë se sulmi ishte kryer me gaz kimik.

Nga ana tjetër, regjimi dhe përkrahësit e tij pretenduan se sulmi është kryer nga opozitarët dhe se pika e goditur ka qenë nje depo armësh.

– Sulmi ndaj Gutës Lindore më 7 prill 2018

Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore njoftuan se në sulmin e djeshëm me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, kanë humbur jetën 40 civilë.

Në qarkun Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, aktualisht rreth 100 mijë persona jetojnë nën rrethim.

– Regjimi i Asadit ka përdorur 215 herë armë kimike

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) në një raport të publikuar më 4 prill të vitit 2018 njoftoi se regjimi i Asadit gjatë një viti të fundit ka kryer edhe 11 sulme me armë kimike.

Rrjeti njofton se regjimi i Asadit ka përdorur 214 herë armë kimike në rajone të ndryshme të shtetit që nga fillimi i luftës së brendshme. Me sulmin e djeshëm ky numër arriti në 215.

– Objektiv të sulmeve kimike më së shumti ishin Damasku dhe rrethina e saj

Sipas raportit, regjimi deri më sot ka kryer 45 sulme me armë kimike në Idlib, 29 në Hama, 27 në Halep, shtatë në Homs, katër në Dera dhe tre në Dejrizor.

Regjimi i Asadit së bashku me sulmin e djeshëm kimik vetëm në Damask dhe rrethinën e saj ka përdorur 100 herë armë kimike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button