Thaçi: Në dy vitet e fundit kemi pasur përkeqësim, por jo përmirësim të raporteve me Serbinë

Në raportin me temë “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Perspektivat e së Ardhmes” të prezantuar sot në Prishtinë, thuhet se pas një dekade që nga pavarësia e Kosovës dhe pas shtatë viteve nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur në normalizimin e plotë të marrëdhënieve, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti është përgatitur nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), në mbështetje të Ambasadës norvegjeze në Prishtinë.

Labinot Greiçevci nga organizata joqeveritare RIDEA, i cili prezantoi raportin në fjalë bëri të ditur se studimi është bazuar në intervista dhe tryeza të rrumbullakta, të cilat kanë pasuar me tre skenare të mundshme për të ardhmen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, skenari i parë është faza pa dialog, e cila do të çojë në rritjen e ndarjes etnike dhe stabilitetin ndërsa skenari i dytë është normalizimi i plotë i marrëdhënieve me një marrëveshje bilaterale midis dy shteteve, që siç thotë Greiçevci, mund ta zgjidh problemin dhe të ofrojë stabilitet edhe në rajon. Skenari i tretë, tha ai, ka të bëjë me korrigjime të reja territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në pjesën veriore të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës.

Në prezantimin e raportit të pranishëm ishin edhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, si dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.

Thaçi: BE dhe SHBA duhet të jenë garantuese të arritjes së marrëveshjes dhe zbatimit të saj

Presidenti Thaçi gjatë fjalës së tij tha se përmbyllja e procesit të dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative, është interes nacional i Kosovës, i cili nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare. Ai shtoi se ky proces nuk mund të shtyhet dhe të zvarritet dhe theksoi se sa do që të ketë rreziqe politike e të sigurisë ky proces nuk ka alternativë tjetër.

Sipas presidentit kosovar, BE-ja dhe SHBA-të do të duhej të jenë garantues jo vetëm në arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në zbatimin e saj me afate shumë konkrete kohore.

Thaçi porositi se në këtë proces të gjithë duhet të jenë të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull, sipas tij, të rëndë dhe tragjik e historik. Ai theksoi se se duhet t’i hapet rrugë Kosovës për të qenë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, BE, në Paktin NATO dhe kudo tjetër.

“Jam i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo më sjellë edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilat janë skenarët e mundshëm përpara. Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë ‘status quo’, apo një lloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur realisht në dy vitet e fundit përkeqësim e jo përmirësim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut në dialogun e Brukselit”, deklaroi Thaci.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht obligative midis Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO.

Ndërsa kryeministri Haradinaj shprehu shqetësim lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbetet i hapur edhe pas dy dekadash. Ai tha se nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë ose “nëse nuk dëshiron ndihmë të tregojë se çka të bëjmë dhe ne do të shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”.

Ndërsa kryeministri Haradinaj shprehu shqetësim lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbetet i hapur edhe pas dy dekadash. Ai tha se nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë ose “nëse nuk dëshiron ndihmë të tregojë se çka të bëjmë dhe ne do të shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”.

Haradinaj theksoi se Kosova nuk ka kohë të presë pafundësisht dhe se nuk ka nevojë për shumë kreativitet, sepse siç tha ai, përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke midis dy shteteve.

“Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde. Dhe, kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin veten se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë. Pra, duhet të vijë një ditë e të na thotë dikush vendosni për vete. Ky është një realitet që duhet ta kuptojmë, sepse kanë kaluar dy dekada, 20 vjet në Evropë dhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun. Deri kur?”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti u shpreh se pa një bilanc është vështirë të ecet përpara, duke shtuar se pajtohet se duhet të ndodhë mbikëqyrja e vazhdueshme parlamentare gjatë procesit të dialogut.

Kurti shtoi se Qeveria e Kosovës duhet ta intensifikojë dialogun me serbët vendas në Kosovë, ku sipas tij, do të duhej të fillojë bashkëbisedimi me ta anembanë Kosovës. Ai poashtu theksoi se bashkimi i Mitrovicës është më e rëndësishme se ulësja në OKB, duke potencuar se duhet kritikuar shtetin serb më shumë se sa Brukselin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button