Vuçiqi ofroi shkëmbim territoresh me Kosovën, thotë Jeremiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ofruar shkëmbim territoresh si zgjidhje për çështjen e Kosovës, ka thënë ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq.

Në një takim të Partisë Popullore, president i së cilës është, Jeremiq ka thënë se Vuçiqi ka ofruar jugun e Serbisë në shkëmbim për veriun e Kosovës, por një gjë të tillë nuk e ka pranuar bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk ka ofruar asgjë tjetër “përveçqë të nënshkruhet marrëveshja me të cilën Kosova do të hynte në OKB”, raportojnë mediat në Serbi, përcjell Koha.net.

Jeremiqi ka hedhur poshtë kritikat se gabimet e Serbisë në raport me Kosovën janë bërë para 10 vjetësh, kur ai ishte shef i diplomacisë serbe, por ka theksuar se gabimi më i madh është bërë në vitet 1998-1999, kur për shkak të politikës së pushtetit të atëhershëm ka pasuar bombardime, dhe më pas tërheqja e Serbisë nga Kosova.

Jeremiq ka thënë se Beogradi i ka përmbushur të gjitha kushtet nga Marrëveshja e Brukselit, por në shkëmbim nuk ka fituar asgjë, “përveç premtimit për një Asociacion mjaft të dobët, e as kjo nuk është zbatuar”.

“Pas disfatës së diplomacisë së Qeverisë, vijmë në situatën kur duhet dorëzuar një gjë – ulësja e Kosovës në OKB. Dhe tani kjo i është vendosur në tavolinë Serbisë, përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Jeremiq.

Ai tutje ka thënë se në Serbi ka ndodhur “bashkëdyzimi i shtetit me krimin e organizuar” dhe se ky bashkim ka nisur në veri të Kosovës, “ku është suspenduar shteti, të cilin më pas e ka zëvendësuar krimi i organizuar”.

“Tani kriminelët që e kanë zëvendësuar shtetin në veri të Kosovës kanë nisur të funksionojnë edhe në pjesë të tjera të Serbisë”, ka thënë Jeremiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button