Pritet vendim i gjykatës për Lëvizjen BESA, liderët të pakapshëm, zëdhënësit me deklarata të kundërta

Dje në Gjykatën Themelore Shkupi 2 është mbajtur seancë dëgjimore për rastin e Lëvizjes BESA, gjegjësisht për atë se kush do ta marrë udhëheqjen e partisë, krahu i Bilall Kasamit, apo ai i Afrim Gashit, njofton Portalb.mk.

Portalb.mk, ka tentuar të kontaktojë me të dy kryetarët, të cilët së fundmi u zgjodhën në kongrese paralele, megjithatë të njëjtët nuk ishin të kapshëm.

Zëdhënësi i krahut të Kasamit, Abdush Demiri për Portalb.mk, nuk konfirmon nëse ka pasur dje vendim nga gjykata, megjithatë sipas tij, Kasami do të ngelet lider i partisë.

“Informacionet janë, dje ka pasur seancë dhe në përgjithësi informatat e para janë se kjo punë është e kryer përfundimisht, diku nga e hëna dhe e marta do të organizojnë dhe konferencë për shtyp ku do ta ndajmë me të gjitha mediat”, tha Demiri, duke shtuar se zyrtarisht s’mund ta konfirmojë, por jo-zyrtarisht, sipas tij, Lëvizja BESA i ngelet Kasamit.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i krahut të Gashit, Orhan Murtezani, i demanton informatat se dje ka pasur vendim gjykata, duke thënë se dje ka pasur vetëm seancë dëgjimore.

“Nuk është e vërtetë, dje ka pasur seancë dëgjimore gjykata, i ka  dëgjuar të dy palët dhe seanca ka përfunduar, nuk ka asnjë vendim, është vetëm spekulim”, thotë Murtezani për Portalb.mk.

Ndryshe, dy krahët e Lëvizjes BESA përballen në gjykatë se kush do ta marrë timonin e partisë, pasi që në nëntor të vitit të kaluar, zyrtarisht u ndanë në dy grupe.

Të dy grupet kanë mbajtur kongres dhe kanë zgjedhur kryetar, ndërkaq ata vazhdojnë aktivitetin e tyre politik nën emrin e Lëvizjes BESA, por të ndarë. Ata së fundmi janë pjesë edhe e bisedimeve me kryeministrin Zoran Zaev, për kyçjen eventuale në Qeveri.

Lëvizja BESA në Kuvend ka gjithsej 5 deputetë dhe të njëjtët veprojnë bashkërisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button