fbpx

Kosovë, Kuvendi zgjodhi guvernatorin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën sot guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës. Fehmi Mehmeti me shumicën e votave të deputetëve është zgjedhur sot guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, njofton Kallxo.com.

Në një votim të fshehtë Mehmeti mori 60 vota, ndërsa pas tij u rendit Besnik Bislimi, ish-deputet i Vetëvendosjes, që mori 31 vota. Në garën për guvernator ishin pjesëmarrës edhe Safet Merovci, ish-ministër në Qeverinë e Përkohshme dhe ish-këshilltar në qeveri  dhe Shkëndije Himaj.

Himaj mori 15 vota, ndërsa Merovci 4.

Fehmi Mehmeti nga data 1 shtator 2013 është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Mehmeti ka qenë pjesë e menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, “Limak & Airport de Lyon MAS”, në periudhën 2011-2013.

Në ANP, përveç detyrave tjera menaxhuese, referuar CV-së së tij, thuhet se ai është angazhuar edhe në hartimin e legjislacionit të ANP-së dhe punën në financa. Posti i tij ka qenë shef i Kabinetit të Drejtorit Ekzekutiv.

Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë drejtor bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë.

Nga korriku 1999 deri në mars 2001, kandidati për guvernator ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale në Vushtrri. Në këtë qytet ai ka ligjëruar për lëndët ekonomike në shkollën e mesme, në vitet 91-92.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi dje se kandidatët për guvernatorë u përzgjodhën tinëz kompanisë britanike që po përzgjedh zyrtarët në pozita të larta.

Emri i guvernatorit të zgjedhur në Kuvend do t’i shkojë presidentit për dekretim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button