fbpx

Haradinaj: Jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Kryeministria e Kosovës thuhet se gjatë takimit Haradinaj- Mitchell në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj i ka shprehur falënderimet Ndihmës Sekretarit Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se në takim, poashtu është biseduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri është shprehur se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ndihmës sekretari amerikan Mitchell gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Në kuadër të turneut në shtetet e Ballkanit Perëndimor të filluar nga Prishtina, Mitchell do të vizitojë edhe Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Qipron greke.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button