Kuvendi i Kosovës pa kuorium për rezolutën rreth rritjes së pagave

Pas katër orësh debat, deputetët e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit nuk arritën të votojnë ose refuzojnë rezolutën e propozuar nga dy grupe parlamentare opozitare me të cilën kërkohej nga Qeveria e Kosovës të anulohet vendimi për rritjen e pagave, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta u propozua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje me kërkësë të të cilave sot u mbajt interpelancë për kryeministrin Ramush Haradinaj në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për anëtarët e kabinetit qeveritar, konkretisht vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve që paguhen nga buxheti dhe rritjen e kompensimit mujor për familjet në skemën sociale.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar, paga e kryeministrit Haradinaj duhet të arrijë deri në 2.950 euro bruto, me të cilën paga e kryeministrit pothuajse dyfishohet. Vendimi parashihte edhe rritjen e pagave të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të gjithë personave të emëruar në qeveri dhe ministri. Në janar, qeveria solli vendim edhe për rritjen e buxhetit të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve për katër për qind dhe për rritjen e asistencës sociale për të varfërit për 20 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje më 30 janar kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, ndërsa gjykata ka 60 ditë për të vendosur për kërkesën.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përkrahës i interpelancës, kërkoi që qeveria të anulojë vendimin e paligjshëm për rritjen e pagave të kabinetit dhe të miratojë menjëherë një ligj mbi pagat në sektorin publik.

“Ne vlerësojmë se ky vendim është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë. Në mandatin e kaluar, kuvendi e ka ndryshuar ligjin për menaxhimin e financave publike. Me nenin 22-C që lidhet me kufizimin e rritjes së pagave, në pikën 1 theksohet se rritja e pagave në baza vjetore nuk tejkalon normën e rritjes së bruto prodhimit vendor”, tha Hoti.

Ai shtoi se vendimi për rritjen e pagave krijon një diferencë të madhe me elementet e diskriminimit midis grupeve të veçanta shoqërore dhe kabinetit qeveritar.

Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi se partia e saj mbështet propozim vendimin e LDK-së dhe propozoi edhe tri pika të tjera.

“Ato janë shfuqizimi i propozimit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, heqja e kategorizimit sipas moshës për pagën minimale dhe përshtatja e saj të bëhet në baza vjetore, referuar të dhënave social-ekonomike dhe tregut të punës, dhe po ashtu lartësia e pagesës së skemës sociale çdo vit të përshtatet në varësi të lëvizjes së çmimeve dhe të standardit të jetesës sipas të dhënave zyrtare të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shpjeguar vendimin për rritjen e pagave të kabinetit duke thënë se paga e kryeministrit ka qenë paga e 69-të sipas lartësisë në vend, për të cilën ai cilësoi se nuk është në përputhje me rangun e përgjegjësive që kanë zyrtarët shtetërorë.

“Pra, janë 69 zyrtarë të tjerë që marrin pagë më të madhe se kryeministri i vendit tuaj. Njëkohësisht, numri 69 është edhe kryetari i Këshillit Prokurorial, i atij gjyqsor dhe kryeprokurorit të vendit. Nëse është në rregull për të gjithë ju, atëherë edhe për mua vlen”, tha Haradinaj.

Kryeministri më tej tha se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është në Gjykatën Kushtetuese dhe se deri në vendimin e Gjykatës, ai mbetet i pezulluar.

Duke mbrojtur vendimin për rritjen e pagave, ministri i Financave, Bedri Hamza, i kërkoi deputetëve të opozitës të përmendin të paktën një vend ku deputetët kanë pagë dyfish më të madhe se ministrat.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, duke shpjeguar rritjen e ndihmës sociale për të varfërit, tha se që nga viti 2015 nuk ka pasur një rritje, edhe pse ligji parashikon një rritje në baza vjetore në proporcion me rritjen e çmimit të shportës minimale të konsumit.

Aktualisht në Kosovë ka më shumë se 26.000 familje në skemën e pranimit të ndihmës sociale dhe të ardhurat ndryshojnë nga 60 euro për një familje me një anëtar, deri në 180 euro për pesëmbëdhjetë anëtarë të familjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button