Kolumnë: Lëndimi i demokracisë

Njëra nga rregullat e demokracisë është se “askujt asgjë nuk i jepet dhe askush asgjë nuk merr, çdokujt i takon çdo gjë që është e paraparë me ligj dhe ligjet vlejnë njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, ideologjike…”

Ka filluar të bëhet i bezdisshëm dhe neveritës fakti që sot shumica e informacioneve që po qarkullojnë në opinion, nën ndikimin e trullosjes ideologjike, mosdijes, manipulimeve, paragjykimeve dhe stereotiopeve të krijuara, po e tjetërsojnë kuptimin e tyre. E vërteta po bëhet gënjeshtër dhe gënjeshtra po përhapet si një e vërtetë absolute.

Andaj, edhe përpjekjet konstante të disa qarqeve për t’a mbajtur gjallë imazhin për popujtë e tyre si viktima të padrejtësive historike që po vazhdojnë edhe sot, në fakt janë vetëm ide të çoroditura të elitave politike që ashtu po bëjnë strategjinë e tyre për të grabitur pushtetin. Mjerisht, për të pasur një viktimë, përherë duhet pasur një shkaktar, një armik, një popull tjetër.

Në këtë rrafsh, në Maqedoni, për maqedonasit përherë fajtori kujdestar dhe armiku që ua zë frymën janë shqiptarët dhe feja e tyre Islame kurse për shqiptarët është e kundërta. Maqedonasit përherë vajtojnë se “shumë të drejta ju kanë dhënë shqiptarëve” dhe shqiptarët gjithmonë përpiqen “të marrin të drejtat që nuk i kanë”. Kuptohet, në këtë mes janë edhe ata të tjerët që nuk janë maqedonas apo shqiptarë, ortodoksë e muslimanë, por ja që ata janë disi më të pazëshëm.

Ndërkaq, e vërteta vazhdon të mbetet krejtësisht ndryshe nga këto stereotipe dhe paragjykime të pjesës së opinionit e cila shumë moti e ka humbur aftësinë e perceptimit kritik të gjërave. Ajo pjesë e opinionit që po i lejon vehtes të trajtohet vetëm si një objekt naiv për një përdorim, si makineri votuese dhe numër gjatë ndonjë proteste apo mitingu, në fakt po haron se njëra nga rregullat e demokracisë është se “askujt asgjë nuk i jepet dhe askush asgjë nuk merr, çdokujt i takon çdo gjë që është e paraparë me ligj dhe ligjet vlejnë njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, ideologjike…”.

Të ballafaquar me diskurse të këtilla përjashtuese që gjenerojnë budallakira të llojit “ Ne kupuvajte od shiptarishta” dhe kulmojnë , pa bigajri hak,me djegjen e flamurit shqiptar në do protesta të cilat në ballë kishin edhe një zyrtar fetar , lirisht mund të konstatojmë se në Maqedoni është lënduar demokracia.

Dhe, do thotë dikush, faji qëndron te mediat(sërish ato të shkretat) të cilat “po e reprodukojnë realitetin duke e ofruar informacionin si një paketë të mbështjellur me pamje vizuele tërheqëse dhe me formë estetike që targeton mediokrët. Ato e konstruktojnë “të vërtetën” përmes të cilës krijohen forma të reja të perceptimit të gjërave dhe modelohet jeta e njerëzve sipas vullnetit të laborantëve sekretë që prodhojnë mjegullnaja…”.

I vetëdijshëm se sot shumë gjëra që ndodhin në realitet ndryshojnë kur kalojnë nëpër duartë e grimerëve të mediave të caktuara të cilat akëcilën ngjarje e prezentojnë në formën që vetë e synojnë, megjithatë nuk jam I mendimit se aty përfundon çdo gjë. Në fakt, aty fillon çdo gjë.

Sepse atëherë , në skenë paraqitet vetëdija e njeriut që s’lejon të manipulohet, sepse e quan ofendim dhe krim përpjekjen që kushdoqoftë t’ia modelojë përcaktimin dhe qëndrimin. Qofshin në pyetje media apo politikanë, apo edhe të dyjat të ndërlidhura bashkë, qytetari i vetëdijshëm duhet të di të seleksionoje dhe të informohet nga media që kanë për parim të vetin t’ia ofrojnë qytetarit informatën që do i mundësojë atij të ndjehet i lirë dhe të merr pjesë në proceset që zhvillohen në shoqëri e që e determinojnë fatin e tijë.

Të njejtin qëndrim dhe të njejtën distancë, njeriu i vetëdijshëm duhet t’a mbajë edhe ndaj politikës dhe politikanëve. Është e njohur se për politikën nuk ekziston realiteti të cilin e jeton populli, ajo e , krijon një realitet të vetin përmes floskulave dhe copëzave të mbështetura në një ideologji të caktuar.

Pra, ato që po ndodhin në Maqedoni e që po i detektojmë si lëndime serioze të një demokracie të brishtë, janë lëndime që nuk po i lejojnë njeriut të rëndomtë të merret me çështje ekzistenciale. Zhytja në llumin e ndasive e urrejtjes në emër të “ideve madhore” të tipit- kush është më i vjetër, më i madh, më i rëndësishëm, paraqet rrezik serioz që mund të shënojë një prapakthehu të synimeve euro-atlantike. Të ushqyerit me paragjykime artificiale mund edhe të quhen një lloj specialiteti i kuzhinës ballkanike, por ama pjesa më e madhe e Ballkanit tani më është kyçur në UE dhe NATO, e aty nuk shkohet me paragjykime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button