Lavrov: Deklarata e Thaçit nuk do të ndryshojë qëndrimin e Rusisë për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se deklarata e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se njohja e vendit të tij nga Rusia do të bënte që Serbia të heqë dorë nga “mitologjia e rreme”, nuk do të shkaktojë që Rusia të ndryshojë qëndrimin rreth Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente Lavrov i bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun serb Ivica Daçiç në Beograd, në ditën e dytë të takimeve të tij zyrtare në këtë vend.

“Liderët e Kosovës duhet të merren me çështjet e tyre, sepse ata tashmë janë akuzuar për krime lufte. Për fat të keq, shumë kolegë botërorë që mbrojnë autoritetet shqiptare po harrojnë e këtë”, tha shefi i diplomacisë ruse.

Lavrov tha se Rusia u përmbahet të gjitha marrëveshjeve mbi Kosovën dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, duke shtuar se Rusia do të kundërshtonte çdo përpjekje për të thyer këto marrëveshje.

Ai vuri në dukje nevojën që të gjitha çështjet në BeH të zgjidhen në bazë të marrëveshjes së dy entiteteve atje dhe tri kombeve shtetformuese.

Lavrov tha se Serbia dhe Rusia ndajnë mendime të njëjta në shumë çështje ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb Daçiç u shpreh se ideja e “Shqipërisë së Madhe” paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin në Ballkan, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë të heqin dorë nga njohja e pavarësisë së Kosovës për t’i dhënë fund përpjekjeve për “Shqipëri të Madhe”.

Kreu i diplomacisë serbe vuri në dukje se bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë është partneritet strategjik.

“Jam falënderues ndaj Rusisë për mbështetjen që ka dhënë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Të gjithë e dimë se Rusia ka vënë veto ndaj përpjekjeve për ta akuzuar popullin serb për gjenocid. Në të njëjtën kohë, ajo e pret me mirëkuptim pozicionin e Serbisë për sa i përket pavarësisë së njëanshme të Kosovës”, tha Daçiç.

Ndryshe, Lavrov qëndron në Beograd me rastin e 180 vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Serbisë dhe Rusisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button