Radhë të gjata nëpër banka: Mijëra qytetarë me llogari të bllokuara

Mbi 25.000 qytetarë të cilët nuk e kanë paguar tatimin e pronës për vitin 2016, Qyteti i Shkupit këto ditë ua ka bllokuar xhiro llogarinë, njofton Portalb.mk.

Paratë që i kanë pasur borxh tani i paguajnë detyrueshëm. Nga Qyteti thonë se bëhet fjalë për procedurë të rregullt, që aplikohet çdo vit. Megjithatë, këto ditë vetë deklaruan se nëse dikujt i bllokohet llogaria gabimisht, duhet të shkojë në një nga barakat e Qytetit që të rregullohet gabimi.

Qytetarët të habitur, nuk kanë marrë paralajmërime

Këto ditë janë bërë radhë të gjata nëpër sportelet e bankave të kryeqytetit, na qytetarët dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve, që llogaria u është bllokuar. Të gjithë janë të hutuar dhe pyesin se pse është bllokuar. Nga Qyteti thonë se numri i qytetarëve të bllokuar është i ngjashëm me atë të vitit të kaluar.

“As më kanë lajmëruar as kam kurrfarë paralajmërimi. Shkova të lëshoj rroga për të punësuarit, kur mësova se llogaria është e bllokuar. Për ta zhbllokuar banka m’i mori edhe 3.500 denarë. Borxhi është borxh dhe duhet ta paguaj, por unë nuk e di pse nuk më kanë paralajmëruar. Nuk do ta sjellja punën kë situatë që të paguaj edhe zhbllokim”, thotë S.P., i cili është pronar i shitore në Shkup.

Të bllokuar janë edhe qytetarët. Edhe atyre ua marrin nga 2.000 – 3.000 denarë që ta zhbllokojnë llogarinë.

“Procedura për pagesë të detyrueshme po zbatohet thuajse 1 vit përpara se të bllokohet llogaria e borxhlinjve. Pas mbarimit të afateve të pagesës së rregullt të obligimeve tatimore, atyre që nuk e kanë paguar borxhin, ne u dërgojmë paralajmërime në të cilën thuhet se duhet të paguhet borxhi me qëllim që të mënjanohet pagesa e detyruar e obligimeve”, thonë nga Qyteti, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Popullore, të cilat janë deri në shtator të vitit të kaluar, në vend janë dhënë rreth 3.9 milionë llogari bankare prej të cilave në atë periudhë janë bllokuar 235.629 prej tyre. Prej të gjithë këtyre llogarive të bllokuara, 188.062 janë të personave fizik, ndërkaq 47.567 janë të personave juridik.

Qytetarët i bllokojnë përmbaruesit nëpërmjet bankave për mospagesë të llogarive komunale, ndërkaq edhe bankat për mospagesë të kësteve kreditore. Ngarkesë shtesë është ajo që bankat bëjnë pagesë për bllokim dhe zhbllokim të llogarisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button