Kosovë, dorëhiqet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri

Kryetari i partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosja, Visar Ymeri, në një konferencë shtypi njoftoi dorëheqjen e tij nga pozita kryetar i partisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ymeri bëri të ditur se ka vendosur që nga sot të japë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat drejtuese të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht nga pozita e kryetarit, anëtarit të kryesisë dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Ymeri dorëheqjen e tij e arsyetoi, duke theksuar se gjatë vitit të fundit kanë filluar të “rrënohen shtyllat kryesore të kësaj partie, si besnikëria ndaj konceptit politik, besimi i ndërsjellë mes aktivistëve dhe vetëmohimi”.

“Unë sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime. Por, edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë. Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh. E nëse nuk drejtoj atëherë nuk ka kuptim që të mbetem kryetar”, tha Ymeri.

Dorëheqja e Ymerit ka ardhur pas një krize të brendshme mes anëtarëve të kësaj partie, e cila u shpërfaq pas publikimit të një bisede të brendshme ku deputetja nga radhët e kësaj partie Aida Dërguti kishte fyer bashkëpartiakun e saj, Albin Kurtin, ish kryetar të kësaj partie.

Pas kësaj, Dërguti dha dorëheqje nga pozita e kryetares së Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri dhe nga kryesia qendrore e kësaj partie.

Pas këtyre zhvillimeve, Albin Kurti kandidoi zyrtarisht për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet e brendshme që do të zhvillohen në fillim të vitit 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button