FIZJA

Fizja ishte një grua e mirë. Kishte një fytyrë engjëllore. Kushdo që e shihte atë fytyrë ndjente edhe keqardhje, edhe dashuri dhe njëherësh i zgjohej edhe një respekt për Fizen. Prej se e mbaj në mend ajo ka qenë pjesë e familjes sonë të madhe, ku punonte kryeulur, pa bërë zë. U shërbente të gjithëve. Edhe babait, edhe xhaxhait edhe nënës sime, edhe të shoqes së xhaxhait, por edhe ne fëmijëve, shtatë sa ishim, tre ne e katër kushërinjtë tonë. Më së shpeshti gatuante Fizja, sepse thoshin, “i shkon për dore gatimi, ia ka harxh”.

Me të vërtetë e qante çdo gatim, t’i lëpish gishtat pasi ta hash. Ëmbëlsirat – të mrekullueshme! Dhe, kur i piqte gatimet e saj të ëmbla mbushej shtëpia me erë të mirë. Nuk kishte gjellë që duart e Fizes nuk e bënin me mjeshtrinë e filigranit.Po s’i kishte vetëm këto shkathtësi Fizja e mirë. Ndonjëherë, kur kishte kohë, ajo na mblidhte rreth vetes ne fëmijëve dhe na tregonte përralla, kurse përrallat e saj ishin më të bukurat që kam dëgjuar ndonjëherë. Pastaj, sa herë që kalonte pranë nesh, nuk e lente pa na falur ndonjë kokërr molle apo na i ledhatuar flokët me mirësi, duke na thënë: “Shpirti i Fizes”. Përveç kësaj Fizja na i qepte e na i arnonte teshat, duke kënduar dhembshëm njëfarë Hafizi.

Njëherë, do t’i kem pasur atëherë shtatë-tetë vjet, duke shkuar te dajat e mi, në këmbë, unë e pyeta nënën.

“Nënë, çfarë e kemi ne Fizen”?

“Është halla juaj”, më tha nëna.

“Po pse s’e thërrasim ne hallë, po Fize”?

“Nuk e di”, m’u përgjigj nëna.

“Pse nuk ka fëmijë”? vazhdonin pyetjet e mia.

“Fizja ka qenë e martuar. Fati nuk e deshi të kishte fëmijë, prandaj është larguar nga

shtëpia e burrit. Dhe, a bën ta lëmë këtë muhabet”? më pyeti nëna me një ton të lartë që ma bëri me dije se i pengonte kjo bisedë. Unë nuk e çova më tutje, ndonëse nuk kuptova se pse Fizja ishte larguar nga shtëpia e saj, pse rrinte pa burrë. Nuk më mjaftuan shpjegimet që ta kem të qartë punën e Fizes, ngase për mua ishte në rregull që çdo grua ta kishte burrin e vet, siç e kishte nëna tim atë, kunata e nënës, xhixha ime – xhaxhain tim.

Shumë vite më vonë, kur i kisha të qarta marrëdhëniet tona tradicionale familjare, e mora vesh se vjehrra e Fizes kishte bërë çmos ta martonte të birin që të kishte trashëgimtarë, ngase pas katër vjet martese me Fizen nuk kishte pasur fëmijë. Fizja do të kishte mundur ta vazhdonte jetën në shtëpi të burrit, por ime gjyshe i kishte thënë tim ati:

“Biri im, shko e sillma Fizen në shtëpi. Nuk dua që Fizja ime të bëhet rrogtare e askujt

Më mirë do ta ketë me nënë e me vëllezër, se sa me ortake”. – Dhe, im atë menjëherë e kishte çuar në vend fjalën e gjyshes.

Kështu Fizja i shpenzoi vitet e jetës në shtëpinë tonë, duke i përcjellë në botën tjetër e duke i qarë më së pari gjyshen e pastaj edhe prindërit tonë, një nga një. Ishte Fizja ajo që na martoi ne fëmijëve të dikurshëm dhe na bëri me vatër e me kulm që të shtatëve, katër djem e tri vajza të familjes sonë të madhe. Përvoja e kishte bërë atë të qëndrueshme. Me kohë, secili prej nesh, në saje të kujdesit dhe ndihmës së Fizes, u nis shtegut të vet jetësor, ndërsa ajo, pastaj, filloi disi të vyshkej si një lule. E rrëmbeu dergja e vetmisë dhe braktisjes dhe iu bë barrë e madhe. Shumica prej nesh sikur e harruan. Unë, jo. E kisha idhull. Prandaj me një rast i thashë:

“E moj Fize, çfarë njerëzish qenkan këta”, e kisha për motrën e vëllain tim dhe për kushërinjtë dhe kushërirat, “që të anashkalojnë ty që na rrite e na bëre shtëpi”?

“Secili e ka të shkruar udhën e vet që duhet ta kalojë, biri im”, më tha me një buzëqeshje nga e cila shpërndahej dashuria dhe mirësia. “Ec edhe ti… E ke gruan fisnike, i ke dy fëmijë si pëllumba. Ngutu se kjo udhë nuk është e gjatë”!

* * *

Ka kohë që Fizja ka vdekur. Krahas shumë kujtimeve të bukura, tri gjera kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time: trëndafilat e kuq që i mbolli duke qarë e duke kënduar Hafizin. Janë këta trëndafila që ende çelin dhe sa herë që kaloj pranë tyre më vjen sikur një zë e përmend emrin e Fizes e pastaj përhapet era e mirë. Gjëja tjetër që ma ngacmonte kërshërinë ishte Hafizi dhe, së fundi, është se Fizja shpesh nuk ulej në sofër kur e ftonin.

“Fize, hajde, ulu në sofër”! i thoshte më shpesh xhaxhai e ndonjëherë edhe im atë. Dhe, kolliteshin – ëhëëëë. Pastaj zgërdhiheshin. Atëherë Fizja skuqej në fytyrë, ndalej njëherë si e stepur, i shikonte me keqardhje babain dhe xhaxhain e pastaj tërhiqej:

“Nuk dua, nuk jam e uritur”, thoshte qetë. Të gjithë, pastaj, hanin thuajse s’ka ndodhur asgjë, kurse vendi i Fizes mbetej zbrazur. E uritur e kalonte ditën pa ngrënë drekë ose natën pa ngrënë darkë. Ndodhte që t’ia bënin shpesh këtë lojë, që ishte ndëshkim.

“Pse s’e lënë rehat të shkretën”, thoshte nëna, “kur e dinë se kjo shpoti ia pret bukën”?

“Fize”, iu drejtova kur më tha se duhej të ngutem, se udha që e kalon njeriu është e shkurtër, “të lutem Fize a po më tregon diçka. Kam tri pyetje”?

“Fol, shpirti i Fizes”…

“Kush ishte ai Hafizi, të cilin e qaje dhe e këndoje aq dhembshëm kur na i arnoje teshat dhe kur i mbolle trëndafilat e kuq? Pastaj, pse i mbolle me aq merak ata trëndafila? Dhe, e treta: pse nuk haje bukë sa herë që të thoshin: ‘Fize, hajde ulu në sofër…”?

“Eeeh, kush ishte Hafizi? e përsëriti pyetjen time Fizja. “Ishte im shoq nga i cili më ndanë dhe të cilin s’e pashë më kurrë, ndonëse aq shumë e kam dashur… Trëndafilat i kam mbjellë për shpirtin e tij… Për Hafizin tim. Kurse në sofër nuk më kanë thërritur që të ulem. Kështu talleshin me mua kur më thoshin: “Fize, hajde ulu në sofër”. Ma kujtonin Hafizin tim” më tha Fizja, “demek ç’të duhet ai farë Hafizi. Kam thënë njëherë se sofrës i jepte hijeshi Hafizi im kur ulej, sepse ishte si bir mbreti dhe për vëllezërit e mi kjo që e thashë u bë lodër fëmijësh. Pastaj gjithmonë e përsërisnin këtë shpoti. E di, tash i kujtoj si fëmijë vëllezërit e mi”.

A e xhelozonin, a nuk e njihnin thelbin e dashurisë, nuk e di… Ishte si ishte, unë s’ua kam zënë për të madhe.

E shikova Fizen e më erdhi keq. Në fytyrën e saj çdo rrudhë m’u duk si petale trëndafili, kurse dy pika lot që i rrokulliseshin faqeve m’u dukën si pika vese mbi këto petale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button