fbpx

Shkup, sonte fillon Festivali ndërkombëtar i montazhit të filmit

Në kinemanë “Milenium” sonte prej orës 20 do të hapet Festivali ndërkombëtar i montazhit të filmave “Sinematik” të cilin e organizon Asociacioni i profesionistëve të filmit dhe TV-bashkëpunëtorëve të Maqedonisë me mbështetjen e Agjencisë për film. Festivali do të hapet me premierën e produksionit shqiptaro-italian “Të thyer” (Broken) në regji të Edmond Budinës.

Festivali treditor “Sinematik” i vë në fokus montazhierët, është bërë për nder të tyre dhe tenton që t’ua sigurojë vendin e merituar në artin filmik.

“Disa thonë se filmi krijohet tri herë: në letër, gjatë xhirimit dhe gjatë montimit. Montazhieri e vendos tempon dhe ritmin, të diktuar nga radhitja e kuadrove dhe tajmingut të tregimit. Thuhet se prerja e mirë duhet të jetë e padukshme. Kjo është çështje e vlerësimit. Megjithatë, në asnjë rast kreatorët e këtyre prerjeve dhe rregullat e artit të tyre nuk guxojnë të mbeten të padukshme”, thekson organizatori.

Festivali ndan çmim për veprën jetësore të një montazheri. Për nder të tij shfaqet përzgjedhja e filmave të opusit të tij para publikut dhe ofrohet mundësi që publiku t’i parashtrojë pyetje laureatit për stilin e tij specifik dhe punën e tij ndër dekada.

Çmimi për vepër jetësore për montazh nesër mbrëma në orën 20 në Kinotekën e Maqedonisë do t’i ndahet laureatit të sivjetmë, Andria Zafranoviq dhe për nder të tij do të shfaqet filmi “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” në regji të Rajko Gërliq.

Krahas “Të thyer” dhe “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë”, në programin zyrtar të festivalit janë edhe katër filma: “Harms” në regji të Ivan Bolotnikov; “Vera 1993” e Kerla Simon, “Gjenerata Milenium” e Jana Birgelin dhe “Qendra e botës time” e Jakob Erva.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button