Vendi i zambakëve të bardhë

Gazeta “Minerva” (nr. 23-24, shtator-tetor të 1934, f. 7 – 8) e botoi një fragment nga libri “Në vendin e zambakëve të bardhë”, të G. Petrovit, të cilin e shoqëroi qëllimisht me një shënim plotësues dedikuar intelektualëve, sidomos mësuesve. Në këtë shënim kritikohej indiferenca e intelektualëve shqiptarë, që të vetmin ideal e kishin marrjen e titujve, të rrogave dhe si t’u kënaqeshin të mirave materiale, pa bërë përpjekje ta ndryshonin gjendjen në shoqëri. Dhe për t’u ndryshuar shoqëria, duhej ndryshuar njeriu, kurse ky ndryshim bëhet nëpërmjet kulturës.

Gazeta, duke shkëputur një fragment nga libri i sipërpërmendur, e solli shembullin e idealistit, filozofit dhe politikanit finlandez Johan Vilhelm Snellmanit (1802 – 1881), i cili u angazhua për përparimin e Finlandës nëpërmjet zhvillimit kulturor.

Snellmani ishte profesor i filozofisë në Universitetin e Helsinkit, studiues i Hegelit dhe autor i librit “Studime mbi shtetin”. Ai dhe bashkëmendimtarët e tij e kthyen “në një vend zambakësh të bardhë tokën e njëmijë e një moçaleve”.

Finlanda i ekspozohej rrezikut nga okupimi rus e suedez, kurse finlandezët, si popull i vogël, kishin vetëm një mundësi mbijetese: të avancoheshin kulturalisht. Prandaj Snellmani, në gazetën e tij, “Saima“, i përsëriste fjalët: “Për ne rreziku është evituar vetëm kur kombi ynë i vogël do të arrijë në një shkallë qytetërimi më të lartë nga fqinjët e tij të fortë që e rrethojnë… Një popull i vogël që të mund të rezistojë kundër invazionit të fqinjëve të tij lakmitar, duhet të jetë më i lartë prej tyre nga pikëpamja kulturore”.

Snellmani, për këtë qëllim, së bashku me mësues e intelektualë të tjerë, udhëtoi nëpër gjithë Finlandën, u takua me njerëz, mbajti korrespondenca me ata, i këshilloi ose i kritikoi bashkëkombësit e tij, me qëllim që të mbahej gjallë fryma e përparimit.

“Intelektualizmi nuk është të veshurit e rrobës, kapelës dhe limodhetës sipas modës. Elita është truri dhe shpirti i kombit. Kombi juve nuk ju dërgoi nëpër shkolla që, pasi t’i kryeni mësimet, të merrni nga një rrogë të majme dhe të lozni skambil ose domino mbrëmjeve nëpër tryezat e kafeneve. Ata që sillen kështu nuk janë intelektualë të vërtetë, por janë pjesa e mykur e intelektualëve…”

Sipas idealistit finlandez të gjithë ata që kishin mësuar diçka ishin të detyruar të zhvillonin inteligjencën kombëtare, ta zgjonin ndërgjegjen nacionale dhe ta forconin vullnetin e kombit. Ai thoshte: “Mos harroni se injoranca, alkoolizmi, mizerja dhe sëmundjet e popullit, gjithë këto fatkeqësira janë gabimi dhe turpi juaj”.

Ai nuk u zemërohej njerëzve të thjeshtë që nuk arrinin ta pranonin dijen, sepse e dinte se ky ishte proces i gjatë dhe i vështirë, i cili kërkonte këmbëngulje dhe sakrificë të vazhdueshme të elitës. Ai kishte një ide dhe atë e kishte hedhur në veprim. Kësaj ideje i duhej kohë derisa të bëhej pjesë e mendimit të përgjithshëm. Snellmani i zemërohej elitës, e cila ishte indiferente dhe e kishte harruar kombin edhe pse e kishte detyrim moral të punonte për të. Elita intelektuale punonte për veten. Kjo kinse elitë ka një ves të keq: vazhdimisht e mbivlerëson veten dhe e akuzon popullin se nuk e kupton, ndërkohë që e njëjta e ka braktisur atë. Prandaj Snellmani i fliste elitës kështu: “Mos e harroni kombin. Ju të gjithë keni dalë nga gjiri i kombit… Mos u largoni nga vëllezërit tuaj të mbetur në errësirën e injorancës, por mendoni për mjetet për ta rregulluar sa më mirë jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit dhe për t’i siguruar kombit një të ardhme më të lulëzuar e më të shkëlqyer”.

E risollëm shembullin e Snellmanit, sepse gjykojmë se ajo që sot quhet elitë të vetmin ideal e ka marrjen e titujve, të rrogës dhe si të kënaqet me të mirat materiale, pa bërë asgjë për ta ndryshuar gjendjen në shoqëri. Kjo elitë më shumë i reklamon sukseset personale, për qëllime krejtësisht utilitare, pa pasur ndonjë ndikim të veçantë në proceset shoqërore. Dhe gjendja në një shoqëri mund të ndryshojë duke filluar nga kultura, të cilën, fatkeqësisht, e konsiderojmë si diçka të pavlerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button