Kur drejtësia fillon të funksionojë

Më kujtohet mire 27 Prilli i këtij viti, edhe pse ka shumë prej atyre që duan ta harrojnë dhe ta përshkruajnë si ngjarje jo shumë të rëndësishme. Më kujtohet mirë trasnmetimi direkt që e pamë në televizione atë ditë, edhe pse televizioni kombëtar i shtetit e pushoi transmetimin e seancës konstitutive së Parlamentit në orën 18:00. Më kujtohet shumë mirë gjithçka që pashë në transmetimin direkt që gazetarët e televizioneve tjera kombëtare vazhduan ta bëjnë edhe pas orës 18:00. Më kujtohet që kishte edhe shumë transmetime nga gazetarë ose edhe deputetë që në mënyrë direkte transmetuan në rrjetet sociale atë që po ndodhte në parlament.

Pas një vonese disa muajshe, kur për here të parë në Maqedoni dukej sikur seanca konstitutive e Parlamentit nuk do të mbaronte kurrë, shumica parlamentare zgjodhi Kryeparlamentarin e ri. Rrendi kushtetues i përcaktuar me Kushtetutën e Maqedonisë parasheh që në seancën konstitutive shumica parlamentare zgjedh kryeparlamentarin e ri. Shumica parlamentare thotë Kushtetuta, jo kjo ose ajo parti. Ky është rrendi kushtetues i këtij vendi që shumica parlamentare në 27 prill të këtij viti e ndoqi me përpikmëri.

Në ato transmetime direkte pamë edhe çka ndodhi pas këtij akti. Dyert kryesore të parlamentit papritur u hapën nga brenda, dhe aty vërshoi turma e qytetarëve të zemëruar, të nxitur e të verbuar nga propaganda nacionaliste që për qëllim kishte pengimin me çdo kusht të transferit të qetë dhe paqësor të pushtetit. Bashkë me turmën hynë edhe njerëz me maska të zeza, të cilët e dinin mirë se çfarë duhet të bënin. Bashkë me turmën hynë edhe organizuesit që kishin qëndruan në krye të protestave javë me rradhë. Ata që qartazi nxitën dhe thirrën në këto ngjarje dhe ndoshta edhe e porositën dhunën që ndodhi aty brenda, nuk ishin aty, ishin diku në udhëtim zyrtar, jashtë shtetit. Sikur kjo gjë do i shpëtonte nga përgjegjësia apsolute penale që e kanë lidhur me këto ngjarje.

Çka ndodhi më pas e pamë me sytë tanë. Dhunë, gjak, tentativë për vrasje… ishte natë e tmerrshme e cila shkaktoi frikë dhe pasiguri tek të gjithë qytetarët që ndoqën në ekran këtë ngjarje. Sa për ata që atë ditë të kobshme ishin aty në Parlament, traumat e tyre janë të paharushme dhe të pashërueshme të cilat nuk besoj se mund të tejkalohen lehtë.

Të jeni të sigurtë, terrorizmi brina nuk ka, dhe është ky. Atë ditë i gjithë shteti dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi u terrorizuan pa mëshirë nga një grup njerrëzish të cilët u munduan që me dhunë ta pengojnë realizimin e rrendit kushtetues të vendit. Vepra penale e nenit 313 është shumë qartësisht e definuar në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë. Ajo quhet Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë. Në figurën e saj ligjore qëndron qëllimi që me dhunë të rrezikohet rrendi kushtetues i vendit dhe duke përhapur frikë dhe pasuri tek qytetarët. Ishin pikërisht këto karakteristikat kryesore të asaj dite: rrendi kushtetues ishte venë në rrezik me qëllim shumë të qartë: të ndalohet transferi paqësor i pushtetit; përdorimi i dhunës ishte më shumë se i qartë; dhe pasiguria dhe frika e përhapur tek qytetarët ishte e pakontestueshme.

Prokuroria Publike për Krim të Organizuar fillimin e qasjes ndaj këtij rasti e kishte qesharak. Pjesëmarrje në turmë. Kjo është vepër minore që mund të kryhet në çdo protestë dhe aspak nuk e përshkruan qëllimin e asaj që në të vërtetë ndodhi atë ditë. Më vonë kjo Prokurori e përmirësoi paksa qasjen me atë që akuzoi disa individë për tentativë vrasjeje të deputetit ZIjadin Sela dhe të dhunës ndaj deputetëve tjerë. Por edhe kjo nuk mjaftonte për t’iu qasur në tërësi kësaj vepre të rëndë dhe komplese.

Të them të drejtën, asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se kjo prokurori do të arrijë që të japë kualifikimin e duhur të veprës penale që ndodhi me 27 prill. Duke pasur parsyshe sjelljen e gjertanishme dhe faktin që për arsye të paaktivitetit të kësaj prokurorie u dasht të krijohet një Prokurori Speciale, aspak nuk besoja se një dite ajo e para do t’i qaset me këtë seriozitet kësaj ngjarjeje të përgjakshme. Në fakt, që në momentin kur ndodhi 27 prilli menjëherë u deklaruam të gjithë që pretendojmë se kuptojmë diçka nga ligjet penale se kjo vepër është pikërisht ajo e neneit 313. Por se vërtetë ky fakt do të arrijë të konsiderohet i këtillë, në këto kushte ku ishim mësuar të jetojmë, vërtetë që është një befasi. Në fakt, ishim mësuar të jetojmë në kushtë ku zakonisht shqiptarët akuzoheshin për terrorizëm në vepra penale të kryera në mënyrë të fshehtë dhe të pandriçuar gjer në fund, nëpër konferenca shtypi të MPBsë, pa prezentuar ende asnjë dëshmi dhe duke shkelur në mënyrë eklatante prezumimin e pafajësisë. Kështu ishte për shembull rasti Monstra.

Tani kemi një situatë krejtësisht tjetër. Njerëzit që të gjithë i pamë me sytë tanë si e kryen aktin terrorist të sulmit ndaj Parlamentit dhe deputetëve, po akuzohen në fakti pikërisht për atë që i pamë duke e kryer. Të mos besojë njeriu që ligji vërtet mund të funksionojë dhe që vepra e kryer në mënyrë të hapur dhe krejtësisht transparente të marrë kualifikimin e duhur! Ja çka na bëri të jetuarit në një shtet ku sundimi i ligjit për shumë vite ishte vetëm një ëndër e parealizuar, tani nuk mund të besojmë se ligji realisht po respektohet!

Dëgjoj shqetësimet që Gruevski dhe pjesëtarë tjerë të VMRO-DPMNEsë i shprehin në protestat që i organizojnë çdo ditë e të cilat paturpësisht i përkrah edhe vetë Shefi i shtetit. Paturpësisht përkrah mosdënimin e njerëzve të cilët të gjithë i pamë se si e kryen veprën më të rëndë penale ndaj shtetit të paraparë me Kodin Penal. Ky po që është një veprim suicidal dhe mazohist, Shefi i shtetit të përkrahë kryersit e sulmit ndaj shtetit! Absurditet total!

Shqetësimet e shprehura kanë të bëjnë kryesisht me atë që qenkan arrestuar artistë operash e regjisrotë filmash. Dhe përmendet paturpësisht vaji i fëmijëve të tyre. SIkur kjo do e zbuste situatën. Më intereson përse nuk u përmend në asnjë moment se çfarë mësimi u jepet atyre fëmijëve me faktin që panë babain e tyre duke hyrë dhunshëm në Parlament dhe duke e rezikuar rendin kushtetues të vendit? Po fëmijët e deputetëve të përgjakur në Parlament? Po fëmijët e Zijadin Selës që për një kohë të gjatë nuk e dinin se a është i gjallë apo i vdekur babai i tyre? Ata a nuk janë fëmijë si gjithë të tjerët? Në asnjë moment të njëjtin nuk u përmendën, dhe mirë që nuk u përmendën, sepse është e dhimshme dhe e turpshme të përmenden e të keqpërdoren lotët e fëmijëve në këto raste edhe ashtu komplekse dhe shumë të rënda.

Kishte edhe shqetësime lidhur me imunitetin e disa deputetëve që u ndaluan në polici dhe u nxorën para gjykatës. Sikur nuk është e qartë që Kushtetuta flet vetëm për masën e paraburgimit që nuk mund të shqiptohet pa lejen e Parlamentit në këtë rast. Deputetët nuk janë të shenjtë për të mos pasur mundësi që ndaj tyre të ndërmeren veprime hetuese dhe të njejtët të ndalohen, shoqërohen dhe të arrestohen, bile edhe tu shqiptohen masa të tjera të sigurimit të prezencës në procedurën penale. Të gjitha masat mund tu shqiptohen gjersa e kanë imunitetin, përveç paraburgimit, i cili edhe ashtu nuk është shqiptuar ende dhe për të cilin pritet të pasojë heqja e imunitetit.

Por mendoj që shqetësimi kryesor i njerëzve që protestojnë në krye me Gruevskin është ai që ligji ka filluar të funksionojë. Ata janë te terrorizuar nga fakti që ligji mund të vlejë njësoj për të gjithë, edhe për njerëzit e zakonshëm, edhe për artistët e operas, edhe për atë që shet qebapë edhe për deputetin që është bashkëkryerës në një vepër penale. Kjo është në fakt tmerrësisht terrorizuese për ata!

E kuptoj shqetësimin e tyre, por ky është sundimi i ligjit të cilin kemi kohë që përpiqemi ta arrijmë. Dhe kam një lajm të keq për të shqetësuarit: Ky është vetëm fillimi! Janë edhe shumë vepra të tjera penale për të cilat drejtësia do vendoset. Procesi tash më ka filluar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button