Iniciativa qytetare “S’je i Shkupit nëse…” vendos kosh të ri në Çair
Vikendin që kaloi, iniciativa qytetare “S’je i Shkupit nëse…” e shoqëruar nga më shumë se 200 qytetarë të Shkupit vendosën kosh të ri në komunën Çair.
Të organizuar në rrjetet sociale, shumë qytetarë nga të gjitha moshat u mblodhën në parkun që gjendet në rrugën Kërste Asenov në Çair. Përveç që vendosën kosh të ri në këtë hapësirë, ata mbuluan gropat në fushën e basketbollit, vizatuan viza të reja dhe pastruan të gjithë hapësirën përreth fushës së lojës.
Gjatë aksionit u krijua edhe atmosferë e mrekullueshme nga DJ lokal, duke u mundësuar qytetarëve të shoqërohen e të kalojnë pasdite të këndshme duke kontribuar për komunitetin e tyre.
Kjo iniciativë u realizua nga “S’je i Shkupit nëse…” mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni.
Iniciativën e mbështeti edhe Komuna Çair me reflektorë të ri në fushë dhe duke dhënë mbështetje logjistike për realizim të suksesshëm të aksionit.