Fuqia e pasaportave për vitin 2017, ja cilin vend e zë pasaporta e Maqedonisë

Pasaporta e Republikës së Maqedonisë është e 41-ta në botë sa i përket fuqisë dhe atë vend e ndanë me ishullin shtetëror Kiribati në Oqeanin Paqësor dhe me Federatën e Rusisë, njofton Portalb.mk.

Kjo shkruhet në Indeksin Global të Pasaportave për vitin 2017, sipas të cilit Singapori e ka pasaportën më të fuqishme në botë. Kriteri për atë se sa është e fuqishme pasaporta e një vendi është sipas asaj se sa vende mund të kalohen pa viza me atë pasaportë. Me pasaportën e Maqedonisë, Rusisë dhe Kiribatit, mund të vizitohen gjithsej 108 vende pa viza.

Rangimi i Maqedonisë në vendin e 41 nuk do të thotë se përpara saj ka vetëm 40 shtete, pasi që shumë vende  ndajnë pozita të njëjta për fuqinë e pasaportës.

Megjithatë, në vendin e parë është vetëm Singapori, me pasaportën e të  cilit mund të udhëtohet në 159 vende pa vizë.  Në vendin e dytë është kampioni i dy viteve të kaluara, Gjermania, me 158. Vendin e tretë e ndajnë Suedia dhe Korea e Jugut me 157 vende, ndërkaq vendin e katër e ndajnë 8 shtete (Danimarka, Finlanda, Italia, Franca, Spanja, Norvegjia, Japonia dhe Britania e Madhe), me pasaportën e të cilëve mund të udhëtohet pa viza në 156 vende.

Pasaporta amerikane dhe kanadeze është në vendin e 6 me nga 154 shtete, ndërkaq i Australisë është në vendin e shtatë me 153.

Prej vendeve të rajonit, pasaportë më të fuqishme ka Greqia, e cila ndodhet në vendin e shtatë dhe atë pozitë e ndan me Australinë dhe Zelandën e re, transmeton Portalb.mk.

Pasaporta e Sllovenisë është në vendin e 10 që mund të udhëtojë në 149 shtete, i Kroacisë në vendin e 14 me fuqi për udhëtim në 144 vende, ndërkaq në vendin e 15 ndodhet i Rumanisë dhe Bullgarisë, me pasaportat e të cilave mund të udhëtohet në 143 vende.

Nga shtetet ballkanike që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, pasaportë më të fuqishme se të Maqedonisë, ka Serbia, e cila gjendet në vendin e 37, që ka fuqi të udhëtojë në 114 vende. Me pasaportën malazeze mund të udhëtohet në 105 vende, me të Turqisë në 105, me të Bosnjës në 101, ndërkaq me të Shqipërisë në 96 vende. Prej të gjithë rajonit, vetëm Kosova nuk ka liberalizim me vendet e zonës Shengen.

Pasaporta e Belizës e ndan vendin e 85 me Kuvajtin, me pasaportën e të cilave mund të udhëtohet në 85 shtete.

Shtetasit e Kinës mund të udhëtojnë në 60 shtete pa viza, ndërkaq shtetasit e Indisë në 51.

Pasaportën më të dobët në botë e ka Afganistani, i cili gjendet në vendin e 95 dhe me atë mund të vizitohen vetëm 22 shtete pa viza. Iraku, Pakistani dhe Siria janë mbi Afganistanin, me pasaportat e të cilëve mund të vizitohet jo më shumë se 30 shtete. Pak më lartë se ata ndodhen Somalia, Jemeni, Bangladeshi, Sudani dhe shtete tjera, në të cilat ka luftë apo destabilizim të sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button