fbpx

NJË “QORTIM” TEUTËS

(Marrë nga vëll.5 i librit autobiografik “Gjurmëve të jetës”)

U dha sa u dha këmbëve sheshit të qytetit të ndriçuar nga neonët që vinin nga shtyllat e larta, sa për të bërë një ecje që do t’i bënte mirë ndenjës shtrirë gjithë ditën leximit në internet, më në fund mori kah hyrja e Pallatit të Kulturës, para të cilit pa njerëz që prisnin. Çudi si nuk më paska thirr Jetoni,tha me vete.Duhet të ketë ndonjë program si netët e tjera që i organizon kryetarja e Komunës, Teuta, mbasi pritkan njerëz. Paska harruar Jetoni për sonte, se nuk e le pa më thirr me telefon si përherë. Me t’u futur brenda tyre, u ndal dhe ktheu kokën sa andej-këndej në gjysmëerrësirë se mos i zenin sytë ndonjë të njohur. Ishin kryesisht në moshë, burra e gra. Por jo, nuk njohu askë. Bile veshët i kapën biseda në maqedonisht. Ë ëëë, nuk qenkan tanët, po t’atyne, tha me vete, s’kam çka kërkoj unë këtu. Para se të kthehet nga kishte ardhë, ndjeu një të tërhequr për mënge të palltos. Rrotulloi shikimin dhe ai i hasi në një fytyrë prapa shpine që i foli në maqedonisht.

– Mirëmbrëma, koleg Lavdim!

– Ou, mirëmbrëma, Eftim! – ia ktheu dhe pa dorën e tij që donte t’ia japë. Deshti s’deshti, ia shtrini edhe ai, duke e ditur që e kishte pakëz sakat me gishtat që s’i punonin. Gjatë kohë kishin punuar në shkollë tetëvjeçare dhe e njihte me dhëmbë e dhëmballë, si një shoven të egër që nuk binte e nuk binte në mend para viteve ’90. Ngulte këmbët si derri në akull për gjuhën e tij “të shtetit” dhe u bë i padëshirueshëm nga të gjithë. E shihte edhe vetë këtë, po s’kishte çka t’i bënte vendit të punës që mezi e kishte gjetur për të dhënë lëndën e maqedonishtes te shqiptarët. Ishte egejc. Lavdimi nuk arriti ta sheh si u bë pas luftës së 2001-shit, se shkoi në shkollën ekonomike, po i tregonin kolegët shqiptarë që, ashtu si të tjerëve, i kishte hyrë frika në palcë dhe e kishte mbyllur gojën.

Si u pa me të,vendosi të hyjë.As nuk e pyeti se çfarë do të kishte brenda. U shtir sikur kishte ardhë apostafat. Pse të mos shkoj, tha pastaj me vete. Do të hyj të shoh se në çfarë niveli janë. Kanë apo s’kanë program për të pasë dhe a dallohen prej nesh. Do të hyj me qëllim të më sheh edhe ndonjë i njohur prej tyre, sidomos ai mjekroshi shoven, Ivica Zoriq, që ka qenë drejtor i shkollës së ulët të muzikës në kohën e “komunizmit” dhe nuk i pranonte fëmijët shqiptarë as në audicion. Sakaq, dera u hap dhe ai, bashkë me të tjerët, mori andej. Në ecje e sipër sytë iu ndeshën edhe me të një gruaje që jepte muzikë te shkolla ku i punonte e shoqja dhe ishin parë përherë nëpër gara që bënin me koret e nxënësve. Ejo e përshëndeti me gojën plot. Te holli i madh kapi shkallët në të djathtë që çonin te dera në fund të sallës, që ta kishte më afër për të dalë para kohe, nëse do të duhej.

U ul dhe priti të fillojë programi. Salla u mbush pothuaj plot dhe, me të fikur të dritave, dikush doli në binë e tha atë që kishte për të thënë.Lavdimit i kapi veshi se bëhej fjalë për shënimin e një përvjetori të kompozitorit tetovar Todor Skallovski,po nuk e dalloi në ishte për lindjen apo vdekjen e tij. Priti që moderatori në fund të fjalës ta ftonte në skenë kryetaren e Komunës, Teuta Arifin, për të përshëndetur takimin ashtu si zakonisht ajo u bënte të pranishmëve shqiptarë në raste të tilla. Por jo. kjo nuk ndodhi. Nuk paska ardhë, tha me vete. Pse të mos vijë? Dhe një nervozizëm ia përshkoi trupin. Pikërisht sonte është dashur të vijë e t’u fliste në maqdonisht me atë gjuhën e saj brisk. T’u tregojë se ne nuk jemi zemërngushtë si ata, se gjuha e tyre jo vetëm që nuk na pengon, por edhe e flasim më mirë se vetë ata, se kështu duhet të jetë një kryetar komune, e jo si më parë, kur e udhëhiqnin ata, po edhe sot, asnjë herë askush asnjë fjalë shqip nuk e tha për popullatën shqiptare gjithmonë në shumicë. Sa ta takoj, do ta bëj “horr” për këtë lëshim të madh që ka bë. Sonte është dashur patjetër të ishte këtu! Priti edhe për do kohë dhe, kur pa që programi artistik ishte aq i varfër sa nuk ia vlente ta shihje e ta dëgjoje, doli andej kah kishte hyrë.

Dhe nuk shkuan as dy ditë, mbas asaj të shtune, në vazhdën e organizimit me javë të tëra që bënte për kulturën shqiptare,duke sjellë Ansamble edhe nga Tirana e Prishtina, në amfiteatrin e Arteve të UT-së që ndodhet në kompleksin e Pallatit të Kulturës, Teuta kishte ftuar të rinjtë e talentuar që të jepnin program artistik të muzikës serioze. Lavdimi, i njoftuar nga Jetoni, nuk e la pa shkuar. Kur erdhi Teuta, e pa aty ku ulej gjithmonë, në skajin e radhës së fundit. Iu ngrit në këmbë kur ajo iu afrua t’i jep dorën. Hë, tha me vete, do t’ia them sonte. Do ta pres në trotuar kur të del. Dhe ashtu bëri. Me të mbaruar programi, doli i pari dhe e priti pak përtej derës.

– Trimëreshë e Tërbaçit*), më fal nji minut, – i tha duke ngritur gishtin tregues, kur ajo kapërceu pragun e derës dhe u panë në sy. Pastaj bëri dy tre hapa prapa.

– Urdhëroni, profesor, ç’deshët të më thonit, – i tha ajo duke iu afruar  me atë buzëqeshjen e saj karakteristike.

– Desha të të qortoj për diçka,Trimëreshë e Tërbaçit, ka mundësi? Se unë jam populli e ju jeni udhëheqësia, dhe populli ka të drejtë ta qortojë udhëheqësinë, apo jo?

– Ashtu është, ka plotësisht të drejtë. Urdhëroni, do ta pranoj me gjithë dëshirë!

– Pse nuk erdhe djembrëma në Pallat të Kulturës, në atë manifestimin që kishin maqedonasit për një përvjetor të tyre? Mua më ra rruga andej dhe, kur i pashë, hyra për kurreshtje të shoh se në çfarë niveli janë dhe a kanë diçka të hajrit që dallojnë prej nesh. Të them të drejtën, hyra të të shoh edhe ty e të të dëgjoj si do t’u flasësh me atë maqedonishten që e flet shumë më mirë se ata. Prita, po ti nuk dole. Nuk kishe ardhë. Pse?

– Aa, kam qenë shumë e zënë, profesor. Me këtë punën e ujit jam aq shumë e angazhuar, sa ndonjëherë nuk e di as veten ku jam.

– Krejt punët është dashur t’i lësh atë mbrëmje e të vijshe aty. E di sa më ke dëshpruar e më ka ardhë inat që nuk dole t’u flasësh ashtu si di ti! Këtë e ke të pafalshme! Shiko se mos të të ndodhë kjo herë të tjera!

– Keni të drejtë, profesor. Nuk do ta përsëris më këtë gabim! – tha ajo përsëri me atë buzëqeshje karakteristike, dhe u përshëndetën për t’u ndarë.

_______________________

*) Kështu e thërriste që kur i erdhi si nxënëse në klasë të V-të dhe orën e parë, kur u kërkoi çka dinin të thonin diçka, ajo, më e vogla nga të gjithë, u ngrit dhe e tha përmendsh poemën për fëmijë “Trimëresha e Tërbaçit” të Odhise Grillos.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Më shkrim koti s’kam lexu n’jetë. Kështu ndodh kur një matufit si ky i jepet hapësirë të shkruaj broçkulla.. S’ia fal vetes minutat e humbura..

  2. teper qasje dhe stil komunist i komunikimit te shkruar. Pikerisht si ai ala Enver Hoxha. Kur dihet qe punet e bera nga njerez si puna e Trimereshes se terbacit, jane pikerisht shkaku qe ndodhemi ne kete mizerje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button