Jevtiç: Pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve ka rëndësi jetike

Është i një rëndësie jetike pajtimi i dy kombeve më të mëdha në Ballkanin Perëndimor, serbëve dhe shqiptarëve, tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtiç në hapjen e një konference mbi sigurinë në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në cilësinë e mysafirit special të konferencës, Jetviç tha se kjo është një mundësi e mirë për të folur për sigurinë dhe sfidat e të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, dhe në veçanti theksoi faktin se është e një rëndësie jetike që dy popujt më të mëdhenj në këtë rajon, serbët dhe shqiptarët, të pajtohen.

Siç njoftohet nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Kosovës, Jevtiç në konferencë theksoi rëndësinë e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur në afat të gjatë çështjen e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Është e rëndësishme të thuhet se dialogu i brendshëm që filloi në Serbi lidhur me Kosovën është i një rëndësie vendimtare për të ardhmen dhe në qoftë se ne duam ta zgjidhim në mënyrë afatgjate problemin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në të gjithë Ballkanin, është e rëndësishme që në çast të përballemi dhe të themi se çfarë marrëdhënie dëshirojmë të kemi si dy popuj më të mëdhenj”, tha Jevtiç.

Ai vlerësoi se konferenca e këtij lloji është mundësi për të shkëmbyer pikëpamje dhe përvoja në fushën e marrëdhënieve njerëzore dhe aktiviteteve të sigurisë si produkt i këtyre marrëdhënieve, për të cilat, siç tha ai, sot flitet shumë.

“Gjithçka varet nga ne. Ashtu siç sillemi me njëri-tjetrin, si respektohemi, ashtu do të jetë edhe jeta dhe mjedisi ynë. Siguria në nivel global është produkt i konfliktit të interesave të ndryshme. Individët dhe organizatat janë krijuesit e luftërave dhe paqes. Është detyra jonë përpiqemi për paqe dhe stabilitet”, deklaroi ai.

Në një deklaratë për shtypin pas konferencës, Jevtiç tha se “konferenca është mundësi për të dëgjuar edhe nga përfaqësues të tjerë të vendeve të ndryshme nga e gjithë bota që janë sot këtu, lidhur me gjithë atë me të cilën përballen kur bëhet fjalë për sigurinë”.

Gjatë konferencës u diskutua edhe rreth krizës së migrantëve, ngjarjeve në Lindjen e Mesme, me ç’rast Jetviç theksoi se Serbia, kur është fjala për këtë krizë, ka vepruar në mënyrë humane dhe kjo gjë ka rëndësi të madhe. Ai tha se problemet si terrorizmi dhe radikalizmi duhet të kundërshtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga feja dhe kombi që i përkasin.

Në kuadër të konferencës, Zëvendëskryeministri i Kosovës Jevtiç dje u takua me disa përfaqësues nga vende të ndryshme që vinin nga fusha e sigurisë dhe ekonomisë.

Konferenca e Sigurisë në Stamboll mbahet për të tretin vit me radhë dhe këtë vit në të marrin pjesë përfaqësues nga 32 vende.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button