Haradinaj pret në takim Zv/ndihmës sekretarin e SHBA-ve, Yee

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua i mbyllur për media, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar lart përkrahjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai ka vlerësuar si “jetik” rolin e vazhdueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Haradinaj gjatë takimit po ashtu ka njoftuar zv/Sekretarin Amerikan të Shtetit, Yee lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe dinamikën e përcaktuar në çështjet e brendshme, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe angazhimin në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimeve euro-atlantike.

Haradinaj me këtë rast ka shprehur përkushtimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane, ku ka thënë se ky vend po punon me intensitet në reformat e brendshme me qëllim të përafrimit me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Ai ka nënvizuar se Kosova është një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe se po kultivon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, me të cilën zhvillon dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Haradinaj së fundmi ka shtuar se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare nevojën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit përmes anëtarësimit në OKB, BE dhe në NATO.

Nga ana e tij, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Hoyt Brian Yee ka përgëzuar kryeministrin për detyrën dhe ka theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj.

Ai ka shtuar se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën dhe për vendet e rajonit është e hapur dhe ka inkurajuar institucionet e vendit që të angazhohen në thellimin e reformave të brendshme, në fushën e sundimit të ligjit dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button