Hoxhaj flet për koalicionet e mundshme të PDK-së dhe reformën brenda partisë

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja ka ruajtur një kontinuitet të elektoratit që nga viti 2007 sa u përket zgjedhjeve lokale.

Ai ka thënë se PDK-ja ka fituar në dy komuna, dhe shkon në balotazh në 10 komuna, ndërsa ka theksuar se PDK-ja pret që të qeverisë gjithsej në 12 komuna. Kjo do të thotë, dy komuna më shumë sesa në mandatin e kaluar të qeverisjes lokale.

Duke folur për rundin e dytë të zgjedhjeve, Hoxhaj ka thënë se anëtarësia e PDK-së do të aktivizohet plotësisht, me aktivistët e saj, dhe do t’i fitojë të gjitha komunat ku ka shkuar në balotazh.

“PDK-ja e ka dëshmuar edhe më herët se në rundin e dytë të zgjedhjeve, por edhe në të tretin nëse ka nevojë, është e pandalshme në fitore”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja ende nuk ka qëndrim se me kë do të bëjnë koalicione në komunat ku kandidatët e tyre janë në balotazh. Ai ka thënë se do të lidhin koalicione varësisht nga qyteti dhe rrethanat e garës.

Ai ka pranuar se partia e tij ka tri prioritete të mëdha e ato janë shënimi i fitores në Mitrovicë, Prizren dhe Ferizaj, të cilat i ka konsideruar si qytete strategjike për mbulimin dhe zhvillimin e të gjitha pjesëve të Kosovës.

Hoxhaj ka folur edhe për reformën brenda PDK-së, ku ka përmendur që 80 për qind e kandidatëve të PDK-së kanë qenë prurje të reja.

“Kjo reformë ka marrë edhe shumë mbështetje elektorale”, ka deklaruar Hoxhaj në Zona e Debatit në Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button