fbpx

U mbajt Parada e parë e Krenarisë në Prishtinë

Në Prishtinë, për herë të parë është mbajtur “Parada e Krenarisë”, e cila,  sipas organizatorëve, kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët “për të treguar që komuniteti LGBTI, ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin”, shkruan REL.

Kjo paradë, u mbajt pas tri marsheve të organizuara vitet e kaluara, në të cilat patën marrë pjesë edhe krerët shtetëror të Kosovës në mbështetje të komuniteti LGBTI.

Aktivitetet në mbështetje të këtij komuniteti kanë filluar që nga 6 tetori.

Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është, ‘Në emër të Dashnisë’”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga organizatat që kanë marrë përsipër organizimin e paradës.

Në nisje të saj, ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Po ashtu, aty janë parë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues ndërkombëtar në Kosovë.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie ka përshëndetur pjesëmarrësit në paradën e parë të komunitetit LGBTI në Kosovë. Ai tha para të pranishmëve të tubuar në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë se ambasada e ShBA-së i mbështet ata dhe do të qëndrojë përherë pranë tyre.

Ditë tepër e mrekullueshme për ta pasur tamam Paradën e Krenarisë. Jam shumë i lumtur që po i shoh gjithë këta përkrahës këtu. Dëshiroj t’ju bëj të ditur të gjithëve që Ambasadës e SHBA-së në Kosovë ju mbështet të gjithëve dhe qëndron krah jush”, tha ambasadori Delawie.

Parada ka nisur nga Sheshi “Skënderbeu” dhe ka vazhduar nëpër qendër të Prishtinës deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, ku është përmbyllur me një koncert.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI “Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës.

Gjatë organizimit, rrugëve të kryeqytetit të Kosovës janë parë edhe forca policore në shërbim të mbarëvajtjes dhe ecurisë së qetë të kësaj parade.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button