fbpx

Hoxhaj-Osmani, diskutohet mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni-Kosovë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj mbajti një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë konferencës për media tha se me Osmanin kanë biseduar për raportet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve dhe si mund ta fuqizojnë bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe shoqërive.

Duke thënë se mesazhi kryesor që sjellë Osmani nga Shkupi në Prishtinë është se në një të ardhme të afërt duhet të mbahet një mbledhje e përbashkët në mes qeverive në Shkup dhe Prishtinë.

Hoxhaj tha se Maqedonia është një partner i fuqishëm politik i Kosovës meqë e ka njohur dhe mbështetur Kosovën si dhe një partner të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar me të cilin ka shkëmbime intensive.

“Emërimi i Osmanit si zv/kryeministër tregon për atë se çfarë roli mund të kenë shqiptarët në rajon kudo që jetojnë në një kohë kur rajoni po merr një qartësi të re meqë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd dhe Mal të Zi ka qeveri të re”, tha Hoxhaj.

Ai duke nënvizuar se viti 2017 ka qenë një vit i zgjedhjeve lokale, qëndrore dhe i qeverive të reja shprehu besimin se ky fundvit mund të përdoret për axhendë shtetërore për bashkëpunime bilaterale.

Një temë tjetër e bisedës sipas Hoxhajt ka qenë edhe krijimi i një komisioni të përbashkët i cili do të merret me tema të karakterit ekonomik, tregtar dhe të bashkëpunimit në mes të dy shteteve duke bërë të ditur se është biseduar edhe për temat e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme rajonale.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani gjatë fjalës së tij tha se ndjehet i privilegjuar që ka nderin të jetë zyrtari i parë i qeverisë së Republikës së Maqedonisë që ka patur mundësi të përgëzojë formimin e qeverisë së re të Kosovës në Prishtinë.

Ai tha se Kosova është prej miqve më të afërt politik por edhe partner i rëndësishëm ekonomik të Maqedonisë me të cilin dëshirojnë t’i thellojnë marrëdhëniet bilaterale në gjitha sferat.

Osmani po ashtu theksoi se si koordinator i gjithë projektit për integrim në BE të qeverisë së Maqedonisë pas 12 vitesh që nga dita e kandidaturës për anëtarësim në BE dhe 17 viteve të nënshkrimit të MSA-së, me gjithë eksperiencën e mbledhur në institucion të cilin ai udhëheq do të jetë në shërbim të institucioneve të Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Duke folur për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët në mes të dy qeverive Osmani tha se mendohet që ky takim të mbahet pas zgjedhjeve lokale në të cilin do të marrin pjesë të gjitha komitetet që komunikimi të jetë permanent dhe shtytës për politikanët e të dyja vendeve.

“Mendoj se për t’i përshpejtuar dhe dinamizuar këto marrëdhenie duhet një mbledhje e përbashkët e qeverive e cila do të jetë një platformë mbi të cilën pastaj do të ndërtohen raportet tjera”, tha Osmani.

Sa i përket temës së ndërtimit të autostradës Osmani tha se kjo autostradë do të jetë arteria që lidhë dy shtete dhe rajonin duke nënvizuar se është njëra prej prioriteteve të shtetit të Maqedonisë dhe do të duhet të fillojë shumë shpejtë meqë Kosova është në përfundim e sipër të pjesës së saj 13 kilometërshe.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button